Namazi i Bajramit/ Shtohet numri i besimtarëve qe kthehen drejt Zotit (FOTO)

232
0

Mëngjesin e sotëm, besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Bajramit, në ceremoninë e zhvilluar në sheshin “Skënderbej”.

Pavarësisht kushteve të këqija atmosferike, mijëra besimtarë pasi kanë kryer herët ritet e tyre për këtë festë, si ndarja e Sadaka Fitrit për të varfrit, i janë drejtuar sheshit për faljen e namazit.

Nga pamjet e publikuara prej ceremonisë së sotme shihet se numri i besimtarëve që kanë zgjedhur të falen në shesh paaresisht shiut, është relativisht më i lartë, nëse krahasohet me vitet paraardhëse.

Këtë fakt duket se la të nënkuptuar në fjalën e tij për mediat edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu.

Ai nënvizoi pjesëmarrjen e lartë në këtë ditë të shënuar për besimtarët, duke justifikuar kështu faljen e riteve dhe namazeve në hapësira publike si sheshi “Skënderbej”.


“Xhamia e Namazgjasë akoma nuk ka mbaruar. Në momentin që ajo mbaron dhe dorëzohet, do të falen ritet e namazeve. Xhamia e Namazgjasë nuk i merr të gjithë besimtarët, ndaj falja bëhet në sheshe. E rëndësishme është që Bajrami është gëzim e hare”, tha ai.

Islami në Shqipëri është feja më e përhapur në vend, ku sipas censusit, 56-70 % e popullsisë së Shqipërisë u deklaruan myslimanë.

Megjithatë vit pas viti, shihet një shtim i besimtarëve, edhe pse nuk ka një studim konkret se cilat janë shkaqet e kësaj rritjeje.