Najada Çomo kandidate si deputete e PS

422
0

Drejtoresha e Spitalit Infektiv Najada Çomo, ka pranuar të kandidojë si deputete e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Gjatë aktivitetit “Shëndetësia që duam”, në krah të kryeministrit Rama ka qenë edhe mjekja e njohur, e cila po drejton një nga spitalet kryesore në vend në luftën kundër Covid 19.

Pasi e ka prezantuar si një heroinë të vijës së parë të zjarrit në luftën kundër pandemisë, Rama ka zbuluar se ka ftuar dhe ka marrë aprovimin e Najada Çomos për të garuar si deputete.

“Mbase është momenti për ta thënë që të gjithë ta dëgjojnë, jam mirënjohës edhe për një fakt tjetër, duke marrë parasysh se në këtë udhëkryq, Shqipëria duhet të flasë, duhet të ndiejë, të jeohjë zërin, në radhë të parë të atyre që janë në vijën e parë të kësaj lufte, që është me siguri një arsye për të reflektuar lidhur me vet skuadrën tonë. Është një arsye për të bërë një hap dhe për të shtrirë dorën e lutjes, duke kërkuar që dikush dhe kush më mirë se sa komandantja e vijës së zjarrit të vijë me ne, jo për t’u bërë deputetja e radhës në një grup deputetësh, as për të lënë vijën e zjarrit dhe për t’u ulur në një nga karriget që janë më të rehatshme, edhe pse jo aq sa njerëzit mendojnë, por për të qenë aty sa herë që duhet që zëri i brendshëm të mos i mungojë Parlamentit, të mos i mungojë njerëzve. Në mënyrë spontane nxorra një sekret të vogël”, – tha Rama.

Ai theksoi se doktoresha nuk mund ta braktisë profesionin e saj, por mund të vijë të ulet në karriget e Kuvendit sa herë të jetë e nevojshme që të dëgjohet zëri i saj.

“Të vijë aty sa herë të dojë, pa e braktisur detyrën. Për të qenë aty, sa herë zëri i brendshëm i hapësirave ku lufta është sy më sy kacafitëse me armikun, të mos i mungojë Parlamentit, shumicës, njerëzve, qeverisë. Me shumë kënaqësi morën aprovimin tënd dhe ne, nuk duam që t’i të behesh si ne, por ne duam që të bëhemi si ty”, – shtoi shefi i qeverisë, duke iu drejtuar mjekes.