Mot i ftohtë dhe vranësira sot, reshje shiu e dëbore nga nesër dhe rënie e ndjeshme temperaturash
Mëngjesi i sotëm ka nisur i ftohtë, veçanërisht në veriperëndim të vendit, ndërsa pjesa tjetër e territorit paraqitet me vranësira që do të shtohen gradualisht gjatë ditës. Në orët e pasdites, vranësirat do të përfshijnë të gjithë Shqipërinë, pa sjellë reshje gjatë ditës së sotme.
Ndryshimi i kushteve atmosferike pritet nga dita e nesërme. Pas mesditës së së martës, reshjet do të shfaqen fillimisht në zonat perëndimore dhe jugore, për t’u përhapur më pas gradualisht në të gjithë territorin shqiptar. Në zonat malore do të ketë reshje dëbore, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare reshje shiu, megjithëse në sasi të pakta.
Temperaturat do të vijojnë rënien. Nesër termometri shënon një ulje me rreth 2 gradë në orët e mesditës, me maksimumin që zbret në 16°C. Vlerat minimale mbeten të ulëta, deri në -2 gradë në zonat e thella malore, vlera të ngjashme me ato të mëngjesit të sotëm.
E njëjta tablo sinoptike me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu e dëbore do të vijojë edhe gjatë ditës së mërkurë dhe të enjtes. Nga e premtja pritet përmirësim i kushteve të motit, me kthjellime, por temperaturat mbeten të ulëta.
Nga e mërkura e deri në fundjavë, temperaturat maksimale do të bien gradualisht, ndërsa mëngjeset do të jenë gjithnjë e më të ftohta. Fundjava pritet të sjellë temperatura minimale nga -2 deri në -3 gradë në zonat malore, ndërsa në mesditë maksimumet do të jenë 4 deri në 5 gradë më të ulëta krahasuar me ditën e sotme.
Në vijim, maksimumet ditore do të zbresin deri në 14°C, të paktën deri të shtunën, duke konfirmuar një javë me kushte tipike dimri. Moti i ftohtë pritet të vijojë edhe përtej fundjavës, me temperatura të ulëta si në orët e mëngjesit ashtu edhe në mesditë.
Kushtet e dimrit, me reshje shiu dhe dëbore, do të jenë prezente në territorin shqiptar edhe në ditët e ardhshme, ndërsa temperaturat e ulëta pritet të shoqërojnë fundin e këtij viti.