Moti i keq, shtyhet nisja e trageteve drejt portit te Barit

104
0

Nisja e trageteve nga porti i Durrësit drejt portit italian të Barit është shtyrë për shkak të motit të keq.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në det të hapur ka diktuar marrjen e një vendimi për nisjen me disa orë vonesë të trageteve drejt portit italian.

Njoftimi është dhënë nga Autoriteti Portual Durrës.

Të gjithë pasagjerët që kanë rezervuar biletat për të lundruar me traget natën e së shtunës drejt Barit, për shkak të kushteve të vështira të motit do t’u duhet të presin mëngjesin e së dielës për t’u nisur nga porti i Durrësit.

Sipas APD-së, nisja do të bëhet me disa orë vonesë. Ende nuk është përcaktuar ora e saktë e nisjes, po me uljen e forcës së erës dhe detit tragetet do të rinisin lundrimin.

Ndërkohë për të gjithë ata që cenohen nga kjo shtyrje, kompanitë e lundrimeve pritet të respektojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin si pasojë e kësaj vonese, prandaj udhëtarët për çdo informacion duhet të kontaktojnë me to.

Pritet një tjetër njoftim nga autoritetet detare për normalizimin e situatës dhe rinisjen e lundrimeve në Adriatik, ndërsa moti pritet të egërsohet në vazhdim.