Skip to content

“Mos e gëzoftë!”- Zbardhet debati në Kryesinë e PD, Berisha: Për Avokatin e Popullit bëmë gabim! Përgjegjësinë e ka..

    Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar pa praninë e mediave, janë zhvilluar diskutime të forta lidhur me çështjen e Avokatit të Popullit dhe organizimin e protestës.

    Gazetari Osman Stafa ka zbardhur debate nga mbledhja, teksa Flamur Noka ka sqaruar se pas largimit të mediave, në bazë të pikës së parë dhe të vetme të rendit të ditës, kanë nisur diskutimet për protestën e radhës së opozitës.

    Gjatë debatit, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka marrë fjalën duke u ndalur te procesi i firmosjes për Avokatin e Popullit, duke e cilësuar atë si një gabim të rëndë politik. Berisha ka kërkuar që deputetët që kanë firmosur të dalin publikisht dhe të kërkojnë falje.

    “Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, siç ka 98% të pushtetit, të shkojë 99%”, mësohet të ketë deklaruar Berisha.

    Në këtë moment ka ndërhyrë Jozefina Topalli, e cila ka kundërshtuar këtë qëndrim: Jo mor, mos e gëzoftë.

    Ndërsa Berisha ka insistuar se Partia Demokratike nuk do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

    “Ta gëzojë. Ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë”, është shprehur Berisha gjatë mbledhjes.

    Ndërkohë, Bislim Ahmetaj duket se ka qenë i revoltuar ndaj sekretarit të partisë, Flamur Noka duke shtuar:
    “Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.”