Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishte e ftuar mjekja kardiologe Eva Duraku. Referuar temperaturave të ulëta të ditëve të fundit, mjekja ka sqaruar ndikimi që kushtet atmosferike kanë në shëndetin e zemrës.
Duraku ka shpjeguar se temperaturat e ulëta zakonisht ndikojnë në rritjen e vlerave të larta të tensionit, duke apeluar që personat e moshuar të shmangin daljet e panevojshme herët në mëngjes dhe natën vonë, kohë kur edhe temperatura janë më të ulëta.
“I ftohti ndikon tek hipertensioni. Që nga fundi i dhjetorit kemi pasur shtim të rasteve dhe komplikacioneve. Janë shtuar rastet e infarkteve, i ftohti ndihmon kontraktilitetin më të shpeshtë të enëve të gjakut. Kemi rritjen edhe të tensionit dhe kriza hipertensive, pra vlera shumë të larta.
Këshillohet të masim më shpesh tensionin.
Vlerat mbi 16, është mirë të konsultohen me mjekun kardiolog apo mjekun e familjes, që bëjnë të mundur ndryshimin e skemës së mjekimit apo rritjen e dozës së ilaçit me të cilin trajtohet pacienti.
Këshilloj të moshuarit mos të dalin jashtë kur është shumë ftohtë për të evituar të ftohtin e madh, të shmangin daljet e panevojshme”, tha ajo.
Mjekja ka përmendur edhe “Kaptopril”, medikamentin “shpëtimtar” në rast të krizave të hipertensionit.
Ajo këshilloi që në rase kur vlerat janë të larta, të merret doza e këtij mediakementi, i shtypur poshtë gjuhës. Gjithmonë bëhet fjalë për pacientë të cilët nuk kanë alergji apo nuk u bë dëm ky ilaç.