Skip to content

Bonusi i fundvitit për pensionistët, vendimet e fundit nga qeveria

    Në mbledhjen e datës 26 nëntor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi shpërblimin financiar për pensionistët dhe përfituesit e kategorive të veçanta, në prag të festave të fundvitit.

    Sipas njoftimit të Kryeministrisë, pensionistët me pension deri në 20,000 lekë do të përfitojnë një bonus prej 15,000 lekësh, ndërsa ata me pension mbi 20,000 lekë dhe përfitues të trajtimeve të veçanta do të marrin 10,000 lekë. Ky shpërblim vjen si një njohje dhe mbështetje për pensionistët, duke u ofruar atyre një ndihmë të shtuar në fundvit.

    “Këshilli i Ministrave vendosi sot shpërblimin financiar për pensionistët dhe përfituesit e kategorive të veçanta me rastin e festave të fundvitit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Vendimi synon të mbështesë grupet më të prekshme në shoqëri dhe t’u ofrojë atyre një ndihmë direkt financiare në këtë periudhë të rëndësishme të vitit.

    Po në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi edhe shpalljen e disa territoreve si zona me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore, duke përfshirë Bashkitë Shijak, Mat dhe Shkodër. Sipas njoftimit, vendimi merret në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr. 20/2025, “Për paketën e maleve”. Ky vendim synon të nxitet zhvillimi ekonomik i zonave malore dhe të krijohen mundësi më të mira për bizneset dhe komunitetet lokale.

    Gjithashtu, gjatë mbledhjes u miratuan disa emërime dhe lirime nga detyra për funksionarë të institucioneve shtetërore. Ndër të tjera:

    Kështu, Oltjon Muzaka emërohet zv ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

    Entela Ramosaçaj, zv ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.

    Ina Majko, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

    Denada Seferi, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

    Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.

    Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë,Kulturës dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

    Blerta Rama, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.