Ministrja e Arsimit jep lajmin e mirë: Edhe 150 shkolla në projektin “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”

285
0

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një publikimi në rrjete sociale zgjodhi të japë lajmin e mirë të përfshirjes së 150 shkollave të tjera në projektin “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”.

Kushi në mesazhin e saj shkruan se deri tani në këtë projekt janë përfshirë 140 shkolla në të gjithë vendin, ku janë formuar rreth 400 klasa mësimore dhe janë përfshirë mbi 7800 nxënës dhe 800 mësues.

Ministrja ka bërë edhe një ftesë të veçantë për prindërit, duke kërkuar nga ata që nëse ndjejnë të nevojshme një mbështetje të mëtejshme për fëmijët e tyre, të përfitojnë nga ky shërbim që ofrohet në shkollat publike pranë vendbanimit të tyre.

MESAZHI I PLOTË I MINISTRES KUSHI:

Të dashur nxënës,

Shpresoj shumë të jeni duke kaluar ditë të bukura me familjet tuaja kudo mes bukurive shqiptare. Por ndërkohë jam e bindur që po ju merr malli edhe për shkollën, shokët, shoqet dhe mësuesit. Sepse shkolla nuk është vetëm vendi ku merrni njohuri dhe aftësi për të ardhmen, por aty krijoni edhe miqësi, kaloni momente të bukura e përvoja të paharrueshme.

Prandaj dua të ndaj sot me ju një lajm të mirë që lidhet me projektin “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”. Deri më sot në këtë projekt janë përfshirë 140 shkolla në të gjithë vendin, ku janë formuar rreth 400 klasa mësimore dhe janë përfshirë mbi 7800 nxënës dhe 800 mësues. Ndërkohë me fillimin e vitit të ri shkollor, këtë shtator kemi vendosur të përfshijmë edhe 150 shkolla të tjera.

Ky program ju ndihmon jo vetëm që të bëni detyrat e shtëpisë nën kujdesin dhe mbështetjen e mësuesve, por sjell më shumë përparim në dije dhe mbështet aftësitë tuaja shoqërore, fizike dhe intelektuale përmes pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme pas procesit mësimor. I ftoj të gjithë prindërit që kanë nevojë për mbështetje për fëmijët e tyre, të përfitojnë nga ky shërbim që ofrohet pa pagesë në shkollat publike pranë vendbanimit të tyre.

Kalofshi pushime sa më të gëzuara dhe ju pres me padurim në shtator, më të rritur e më të motivuar drejt dijes!