Ministri i Drejtësisë vizitë zyrtare në Romë, marrëveshja që do të firmoset

112
0

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u nis sot për një vizitë zyrtare në Romë, në kuadër të përforcimit të marrëdhënieve juridiksionale Shqipëri-Itali në sistemin e drejtësisë.

Gjatë kësaj vizite ministri Manja pritet që të zhvillojë një sërë takimesh me persona të nivelit të lartë politik si dhe të sistemit gjyqësor.

Gjithashtu, në kuadër të fuqizimit të Drejtorisë Antikorrupsion do të nënshkruhet një “Marrëveshje Mirekuptimi” me Agjencinë Kombëtare Italiane Antikorrupsion, e cila do të shërbejë në forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, duke sjellë praktikat më të mira nga vendi fqinj.

“Kjo marrëveshje shënon një hap cilësor në vizionin tonë për shndërrimin e drejtorisë antikorrupsion në një agjenci të mirëfilltë antikorrupsion në varësi të MD-së”, tha Manja.

Pritet që gjatë kësaj vizite ministri do të takojë homologun italian Carlo Nordio, me të cilin do të diskutojë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive në fushën civile dhe penale.

Ai do të takojë edhe presidentin e Shkollës së Magjistraturës, Giorgio Lattanzi, takimi i përbashkët me presidenten e Gjykatës së Lartë së Kasacionit, Margherita Cassano dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Luigi Salvato, si dhe një takim i përbashkët me Kryetarin e Komisionit të Drejtësisë, Ciro Maschio dhe anëtarë të tjerë të komisionit.