Skip to content

Miku erdhi për festë por theu televizorin 5000€ dhe iku me një ‘më fal’ – Kush paguan?

    Rubrika e përjavshme “Ligji i rrugës” në programin “Rudina” në Tv Klan me avokaten Margarita Kola trajton një ngjarje që mund t’i ketë ndodhurkujtdo. Një ndjekëse e programit ka dërguar një mesazh ku shpjegon se gjatë një feste në shtëpi, një prej të ftuarve ka thyer pa dashje një televizor me vlerë 5000 euro.

    Ai është mjaftuar vetëm duke kërkuar falje dhe pa ofruar asnjë dëmshpërblim. Kjo ka ndezur një konflikt mes familjes dhe mikut, madje kanë filluar të mendojnë seriozisht që duhet ta dërgojnë në gjyq.

    “Përshëndetje Rudina! Jam një ndjekëse e juaja prej vitesh dhe na argëton çdo ditë me programin tënd të mrekullueshëm. Së fundmi më ka tërhequr shumë rubrika që ju bëni me avokaten. Edhe unë kisha një rast që nuk di çfarë të bëj… më ka zënë halli… Para disa javësh në shtëpinë time bëra një festë ku ftova shumë njerëz. Në një moment dëgjoj një zhurmë dhe ç’të shoh, televizorin që ia kishim blerë me shumë mund dhe kursim djalit adoleshent se i ka fiksim video lojërat dhe donte një të mirë që kushtonte 5000 euro, e thyen një nga të ftuarit, padashje sigurisht. Por i ftuari, u mjaftua me një “më fal” dhe as nuk pyeti çfarë mund të bëj për t’ju dëmshpërblyer. Si të veprojmë, sepse realisht jemi gati ta hedhim në gjyq? A duhet të na paguajë ai për dëmin që na bëri?”, shkruhet në mesazhin e ndjekëses.

    Avokatja rikujton se “ligji vjen nga morali”, pra duhet të jetë e natyrshme që dëmtuesi të kërkojë të kompensojë një pjesë të dëmit të shkaktuar. Ajo shpjegon se familja ka të drejtën ta hedhë në gjyq, por shpenzimet mund të kalojnë vlerën e televizorit dhe të zvarriten në kohë. Për të shmangur këtë dhe për të ruajtur miqësinë, Kola këshillon që të arrihet marrëveshja mes tyre.

    Margarita Kola: E mira është që të dyja palët të gjejnë një zgjidhje. Edhe pala që është dëmtuar ka të drejtën morale dhe ligjore ta kërkojë dëmin e shkaktuar, por edhe personi i cili e bëri këtë duhet të paktën gjysmën e dëmit të shkaktuar ta kompensojë. Akoma më tepër pastaj kur ti mjaftohesh me një ‘më fal’ dhe thua ‘e bëra padashje’. Këtu nuk është çështja e bëre me dashje apo pa dashje. Ke shkaktuar një dëm dhe dëmi kompensohet sipas ligjit.