Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar sot masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit” për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Berisha po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv, pastrim të produkteve të veprës penale, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë.
Mësohet se për Berishën nuk është dhënë një tjetër masë më e fortë ajo e arrestimit me burg, për shkak të moshës. Ish-kryeministri disa ditë më parë festoi 79-vjetorin.
Masa e sigurisë u vendos në kuadër të hetimeve të nisura për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
SPAK ka nisur hetimet mbi këtë çështje pas një kallëzimi të bërë nga Taulant Balla në vitin 2020, asokohe kryetar i grupit parlamentar socialist./