Mësim deri në 4 turne, orët me 30 minuta, ja plani i pazakonte i Ministrisë së Arsimit,

2263
0

Shkollat ne vendin tone do te hapen më 14 shtator, por me kushte te pazakonta për mbrojtjen nga virusi.

Sipas protokolleve të hartuara nga ekspertët e Ministrise se Arsimit, u vendos që nxënësit do të jenë çdo ditë në klasa, të ndarë në disa turne dhe me orë 30 minuta.

Drejtoresha e arsimit parauniversitar, Zamira Gjini, ka treguar ne A2 se shkollat e mëdha që edhe para pandemisë ishin me turne, këtë vit do ta zhvillojnë mësimin të reduktuar dhe deri në 4 turne. Më 1 shtator, të gjitha institucionet arsimore 9-vjeçare dhe të mesme do të publikojnë planin e detajuar sipas kushteve të shkollave dhe mënyrën si do zhvillohet mësimi.

“Mësimi do të vazhdojë normalisht, ndërsa në shkollat e mëdha ose në shkollat me turne, kemi menduar që klasat të ndahen dhe mësimi të zhvillohet me orë të shkurtuar, ndoshta në 30 minuta. Nëse shkolla është e organizuar me dy turne, atëherë do të ketë 3 ose 4 turne”, tregon Gjini.

Me ndarjen e klasave dhe rritjen e ngarkesës mësimore do të ketë nevoja edhe për rritjen e numrit të mësuesve. Por, ende Ministria e Arsimit nuk ka një shifër se sa mësues dhe buxhet shtesë do të kërkojë viti i ri shkollor në kushtet e pandemisë.

“Çdo shkollë, në varësi të klasave dhe ngarkesave mësimore, do të bëjë orarin, do të përcaktojë saktë se sa mësues do t’i duhen”.

Zamira Gjini tregon se mësimi është planifikuar të zhvillohet në klasa i alternuar me atë që do të transmetohet në televizion. Në varësi të situatës nga epidemia dhe rasteve të infektimit në shkolla, mësimi mund të kthehet online në institucione dhe për lëndë të caktuara.