Shqipëria pritet që ta hapë kufirin me Kosovën më date 28 maj. Kështu kanë konfirmuar burime zyrtare për televizionin Klan Kosovën.
“Më 28 maj planifikohet të hapet kufiri me Kosovën”,- thotë burimi brenda qeverisë shqiptare.
Ndërkohë edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij të djeshëm në Kuvend paralajmëroi se Shqipëria brenda muajit maj do të jetë e hapur tërësisht nga masat e marra për pandeminë.
“Brenda majit, Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik”.
Por, kur do ta hapë Kosova kufirin e saj me Shqipërinë?
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha për Klan Kosovën se sipas planit aktual, hapja e kufijve dhe aeroporteve rivlerësohet në fazën e tretë të hapjes – që fillon më 1 qershor.
Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që hapja e kufijve, në veçanti me Shqipërinë, të ndodhë edhe më herët.
“Ministria e Shëndetësisë me institucionet e tjera janë çdo ditë në përcjellje dhe vlerësim të situatës dhe vendimet i marrin duke u bazuar në rekomandimet nga institucionet përgjegjëse për situatën epidemiologjike dhe rrethanat e tjera”.
Ai po ashtu thotë se Shqipëria mund ta hapë kufirin njëanshëm, sepse “secili shtet vendos për kufijtë e vet”.
Në një situatë kur Shqipëria hap kufirin me Kosovën, por jo edhe Kosova, a do të karantinoheshin të gjithë qytetarët që vijnë nga Shqipëria?
“Nëse nuk hiqet karantina, e kuptueshme është që po, pos kategorive që nuk hyjnë si: personat mbi 70 vjet, të sëmurët kronikë, fëmijët nën moshën 18 vjeçare, mjekët, pjesëtarët e Policisë dhe FSK-së, personat që marrin pjesë në ceremoni familjare varrimi dhe personat që dëshmojnë se në tri ditët e fundit kanë bërë testin, por për çdo ditë rivlerësohet situata. Karantina mund të hiqet nesër ose pas një muaji – këto janë gjëra që ndryshojnë varësisht situatës”.
Ndërkohë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duket se janë në anën e njëjtë me Kosovën, pasi akoma nuk i kanë hapur kufijtë, ndryshe nga Serbia, e cila edhe pse është më e goditura në rajon nga pandemia, ka hapur kufijtë dhe ka hequr të gjitha ndalesat.