Merret peng nga dy vëllezër një qytetar në Tiranë, detaje

203
0

E rëndë në Tiranë. Një 47-vjeçar është marrë peng nga dy vëllezër, për shkak të një borxhi të pashlyer nga ana e tij kundrejt autorëve.

Mesohet se dy vëllezër e kanë marrë forcërisht në makinë 47-vjeçarin, ku më pas e kanë kanosur dhe dhunuar.

Policia ka mundur që të arrestojë njërin prej autorëve, dhe të shpallë në kërkim vëllanë tjetër, që ka marrë pjesë në pengmarrje.

Policia e kryeqytetit informon se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte marrë me forcë nga 2 shtetas të tjerë, nga vendparkimi i një lokali në Kombinat, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u identifikuan 2 autorët e dyshuar, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi A. B., 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim bashkautori i dyshuar, vëllai i 35-vjeçarit, shtetasi F. B., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, kanë marrë me forcë, me automjet, nga vendparkimi i një lokali, shtetasin Gj. F., 47 vjeç, e kanë kanosur dhe e kanë dhunuar atë, me pretendimin se 47-vjeçari u kishte borxh një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.