Një grup serioz shkencëtarësh kane hedhur poshtë teorinë e presidentit Donald Trump se temperaturat e larta do të largojnë koronavirusin.
Në një letër për Shtëpinë e Bardhë, anëtarët e Komitetit Kombëtar të Akademisë së Shkencave thonë se ka të dhëna të ndryshme që tregojnë se koronavirusi përhapet po aq lehtësisht në mot të nxehtë sa edhe në të ftohtë.
Sipas letrës të siguruar nga CNN, thuhet: “Ka disa prova që sugjerojnë se koronavirusi transmetohet më pak në ambiente me temperatura të larta dhe lagështi. Por duke pasur parasysh numrin e ulët të personave që kanë imunitet ndaj sëmundjes, kjo ulje e efikasitetit të transmetimit nuk mund të çojë në një ulje të konsiderueshme të përhapjes së sëmundjes”.
Letra citon një studim në Kinë që tregon se koronavirusi transmetohet edhe në temperaturë të lartë dhe lagështirë. Pra, një person i infektuar mund ta përhapë edhe tek të paktën dy persona të tjerë.
Mjeku infeksionist William Schffner, i cili nuk është anëtar i Komitetit të Akademisë së Shkencave përforcoi idenë duke thënë: “Pavarësisht se ne mund të shpresojmë se temperatura është një faktor që ul transmetimin e sëmundjes, nuk mund të mbështetemi vetëm aty. Ne duhet të vazhdojmë të zbatojmë rregullat e distancimit social për të parandaluar transmetimin”