Vetëm disa ditë pas lindjes së fëmijës së tyre të dytë, prindërit Petru dhe Natalia Obada shpërthyen në lot.
Në vend që të festonin për ardhjen në jetë të foshnjës dhe t’a ndanin gëzimin e tyre me familjen dhe miqtë, ata duhej që të shkonin nëpër spitale dhe të konsultoheshin me mjekë të përgjithshëm.
Brenda disa javësh nga ardhja në jetë e Sophia-s, familjes iu tha se ajo kishte lindur me një sëmundje të rrallë dhe pa ndërhyrje kirurgjikale mund të humbiste shikimin përgjithmonë, shkruan “Daily Mail”.
Tani, prindërit janë duke shpresuar që të dërgojnë vajzën e tyre 9-muajshe në Spanjë, për një operacion të specializuar në qepallat. Kjo ndërhyrje do t’a ndihmojë atë që ‘të shohë botën që ajo ndriçon’.
31-vjeçari dhe 32-vjeçarja shpresojnë që operacioni t’i kthejë shikimin Sophia-s, por pa ekspozimin ndaj dritës, shanset e vajzës së tyre po përkeqësohen shpejt.
Tani Petru dhe Natalia kanë lançuar një “GoFundMe” për të mbledhur para për operacionin jetësor. Prindërit shpresojnë që paratë e mbledhura do t’i ndihmojnë ata të mbulojnë kostot mjekësore në Spanjë, udhëtimin dhe akomodimin, si dhe mbështetjen mjekësore për të voglen e tyre.
Petru, një inxhinier, dhe Natalia, një nënë shtëpiake, u tronditën kur zbuluan se vajza e tyre kishte një sëmundje të rrallë – veçanërisht pasi djali i tyre David, tre vjeç, lindi pa asnjë ndërlikim.
Çifti, me bazë në Banbury, Oxfordshire, pati një shtatzëni ‘klasike’ dhe gjithçka dukej mirë.
“Shtatzënia e gruas sime ishte krejtësisht normale. Të gjitha analizat dolën të pastra dhe lindja në javën e 42-të ishte krejtësisht normale dhe natyrale. Fëmija ynë i parë është plotësisht i shëndetshëm”, tha Petru për “Daily Mail”.
Kështu që kur Sophia lindi, çifti nuk u shqetësua – dhe as mjekët.
“Kur lindi Sophia, nuk kishim arsye të prisnim diçka të pazakontë”, tha 31-vjeçari, i cili shtoi se pak javë më vonë, e vogla tregoi shenja se jo gjithçka ishte aq normale sa dukej në fillim.
Shumica e të porsalindurve janë në gjendje t’i hapin sytë brenda pak orësh, ndërsa shumë prej tyre vuajnë nga sytë e fryrë, ënjtja shpesh zhduket vetë brenda pak ditësh.
Por për Sophia-n, kjo nuk ndodhi kurrë dhe një javë pas lindjes së saj, filluan të binin kambanat e alarmit.
“Rreth një javë pas lindjes së saj, vumë re se diçka nuk shkonte sepse ajo nuk po i hapte sytë siç duhet. Sytë e saj dukeshin më të vegjël në krahasim me foshnjat e tjera. Mbaj mend kur djali hapi sytë e tij të mëdhenj, por për Sophian ishte krejt ndryshe”, tha Petru.
Por sëmundja, e cila prek një në 50,000 foshnje, është aq e rrallë saqë as mjekët nuk e vunë re dhe i dhanë leje nënës dhe foshnjës të shkonin në shtëpi.