Mediat greke shuplakë turizmit shqiptar: Shqiptarët po lënë lekët në Greqi. Ja dhe shifrat marramendëse

1428
0

Nisur nga faturat e shtrenjta në jug të vendit dhe shërbimit ndaj klientit që kryesisht lë për të dëshiruar, shqiptarët e kanë braktisur vendin dhe kanë zgjedhur Greqinë si destinacion pushimesh.

Aty ku shërbimi cilësor dhe mirësjellja ndaj turistëve është i një tjetër niveli, ku ushqimi i shijshëm është me një çmim të arsyeshëm dhe plazhet janë magjepsës duket se Greqia është një prej vendpushimeve që populli shqiptar ka preferuar para Shqipërisë…

Shteti fqinj ka publikuar shifrat zyrtare dhe shqiptarët renditën të 10-tët në listën e vizitorëve në Greqi. Sipas shifrave të publikuara nga Instituti Studimor i Organizatës të Bizneseve Turistike të Greqisë, 1 milion shqiptarë kaluan pushimet në Greqi ku ishin të parët në 3 zona të veriut e veriperëndimit, në Maqedoninë Perëndimore, Epir dhe Greqinë Perëndimore.

Në vitin 2018 në Greqi hynë 1.121.472 vizitorë shqiptarë me një rritje 16,2%.

Në disa zona të shtetit fqinj rezulton se ua kalojmë edhe turistëve nga vendet e Bashkimit Europian, si Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia.

Për sa u përket shpenzimeve, rezulton se shqiptarët ua kalojnë edhe turistëve gjermanë dhe italianë duke u renditur në vend të parë me shpenzime maksimale.

SHIFRAT

Në Maqedoninë Perëndimore shpenzimet e turistëve shqiptarë janë 10 milionë euro njësoj me ato të gjermanëve dhe bullgarëve.

Në zonën e Greqisë Perëndimore shqiptarët janë të parët me 29 milionë euro të shpenzuara duke ua kaluar turistëve nga Gjermania që kanë harxhuar 26 milionë euro dhe atyre nga Britania e Madhe me 14 milionë euro.

Në krahinën e Epirit, shqiptarët janë të dytët me 40 milionë euro, pas gjermanëve që kryesojnë me 52 milionë euro, por para italianëve me 19 milionë euro.

Sipas medias greke Altsantiri, përshtatur nga “Panorama”, njëherë e një kohë në vitet ’90, togfjalëshi “turist shqiptar” në Greqi ishte diçka që thuhej me shaka dhe as që të shkonte në mend, por kjo është rrëzuar shumë shpejt dhe sot bazuar në faktin se sa shumë shqiptarë shkojnë në Greqi dhe shpenzojnë për pushimet e tyre.