Me shpejtësi të madhe/ Makina përplas dhe merr zvarrë të moshuarin te vijat e bardha në Berat

143
0

Një aksident i rëndë ka ndodhur në lagjen “Çelepias” të qytetit të Beratit, ku një 68-vjeçar është përplasur nga një makinë, teksa kalonte me biçikletë në vijat e bardha të rrugës. Pas përplasjes, automjeti tip “Volswagen Passat”, me targa AA 590 FC, e ka marrë zvarrë për disa metra dhe më pas ka ndaluar.

I moshuari Agim Mingu është përplasur pa ndjenja në asfaltin e rrugës, deri në mbërritjen e ambulancës që e ka transportuar drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Mjekët e spitalit konfirmojnë se ai ndodhet në sallën e operacionit dhe gjendja e tij është kritike.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të shumtë të policisë, që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, ndërkohë që po kërkohen edhe kamerat e sigurisë së bizneseve përreth, të cilat do të hedhin dritë mbi dinamikën e aksidentit.

Burime zyrtare të policisë konfirmojnë se drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Berat, ku edhe po jep dëshminë e ti në lidhje me ngjarjen. Burime nga dëshmitarë në vendngjarje konfirmojnë se automjeti që shkaktoi aksidentit ishte duke qarkulluar me shpejtësi të madhe.