Me nënën pati raporte të ftohta ndërsa të atin s’e di cili është. Jetimja që ia doli të triumfonte falenderon personin që u bë nënë e dytë për të

39
0

Sofika ia doli. Historia e saj e ndarë në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nisi me jetën në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Më pas njohu nënën, me të cilën pati raporte të ftohta, të largëta, ndërsa të atin s’e di se cili është.

Në moshën 18-vjeçare, jetimorja e dërgoi në një fondacion, që e rriti dhe e ndihmoi të piqej në mënyrën e duhur. U bë e zonja e vetes, ia doli të përfundonte universitetin, të punonte dhe të linte pas ndjesitë e këqija, të shkuarën dhe sot që është 23 vjeçe, i ka marrë vetë frerët e jetës në dorë.

Në gjithë këtë rrugëtim, Sofika ka zgjedhur të falenderojë një njeri që i ndenji pranë duke u bërë nënë e dytë për të. Pranvera, një nga punonjëset e fondacionit e ka mbështetur dhe ka qenë krah për të, por mbi të gjitha i ka thënë fjalët që Sofikës i digjej zemra t’i dëgjonte nga dikush, ndaj sot i shpreh mirënjohjen e saj.

Sofika: Pranvera, siç kemi folur dhe së bashku, unë personalisht të jam shumë falenderuese për gjithçka që ke bërë në jetën time dhe që vazhdon të bësh. Desha të të falenderoja si fillim që më keni bërë pjesë të organizatës që ishit. E dyta, falë jush, marrëdhënia ime me mamanë ndryshoi për mirë. Ishit ju që më thoshit që “Sofika, duhet ta falësh mamanë sepse në fund të fundit ajo është mamaja jote”.

Gjatë momenteve që i kam pasur të vështira të në jetë, qoftë me punën, qoftë me shkollën, që kam qarë, ti ke qenë ajo që më ke fshirë lotët. Dhe më e rëndësishmja, nuk mund të lëmë pa përmendur pjesën kur unë dola nga organizata. Në fillim mendoja, sepse edhe pse ju e kishit thënë, ishte shumë e vështirë për mua dhe mendoja se do ftoheshim duke qenë edhe larg njëra-tjetrës.

Por ja që kjo gjë nuk u bë. Ne duke qenë larg njëra-tjetrës, u afruam më shumë shpirtërisht pranë njëra-tjetrës, gjë që domethënë që kontaktet tona nuk i humbëm asnjëherë. Dhe ajo çfarë më ka bërë më shumë përshtypje, është se ke qenë i vetmi person, që ditën që u diplomova më ke thënë “jam krenare për ty” sepse askush nuk ma ka thënë këtë gjë. Mund të më ketë thënë që “bravo, ia arrite t’ia dalësh vetëm”, por që “jam krenare”, askush s’e ka thënë dhe unë të jam falenderuese.