“Më mirë të shkoj në punë sesa të rri në shtëpi me fëmijët…”

74
0

Një nënë australiane ka ndarë më dysh opinionin në internet, pasi pranoi se do preferonte më shumë të shkonte në punë, sesa të qëndronte në shtëpi me fëmijët e saj. Sarah Torresan u bë virale në TikTok me pyetjen: A ka nevojë për më shumë gjumë një person që punon jashtë shtëpisë?

“Nëse do të kisha mundësi për të zgjedhur mes qëndrimit në shtëpi me fëmijët ose të punoja, do të zgjidhja punën, gjithmonë”, e shoqëroi ajo videon në fjalë, që është parë më shumë se 70 mijë herë qëkur u postua më herët gjatë këtij muaji.

“Mendoj se jam e kualifikuar për të folur për këtë për shkak se i bëj të dyja, edhe punoj, edhe rri në shtëpi me fëmijët dhe dua t’ju them diçka: Të shkosh në punë është shumë më e lehtë se të rrish në shtëpi me fëmijët”, insistoi Torresan.

Argumenti i saj se përse preferon të shkojë në punë përfshin të dëgjuarit muzikën e preferuar, të pirit një kafe, të ecurit nëpër qytet, një bisedë me të rritur në zyrë dhe vënia në punë e pjesëve të ndryshme të trurit.

Torresan, e cila ka dy vajza të vogla, tha se në fund të një dite pune i mungojnë fëmijët dhe ndihet e gëzuar kur i takon. Të qëndruarit në shtëpi me fëmijët, për nënën australiane është një rutinë që mund të çojë në ditë të tëra pa një bisedë normale njerëzore.

“Nga momenti që hap sytë në mëngjes, derisa i mbyll je e zënë. Je gjatë gjithë kohës duke u përpjekur të shuash gjërat më irracionale. Është konflikt i vazhdueshëm. Janë nevojat e vazhdueshme të të tjerëve”, tha Torresan, e cila shtoi se rrallë herë është në gjendje që të pijë një kafe të ngrohtë kur rri shtëpi me fëmijët.

Sipas asaj që shkruan NYP, video e saj tërhoqi me shpejtësi mijëra shikime e komente, nga më të ndryshmet. Shumë komentuese ranë dakord me të.

“Do isha çmendur nëse do kisha ndenjur në shtëpi”, tha një komentuese. “Puna është pushim i mirë”, shtoi një tjetër.

Megjithatë, nëna të tjera nuk ishin dakord.

“Absolutisht që nuk do preferoja të isha në punë. Prej 8 vitesh jam një nënë që rri në shtëpi dhe mund të bëj ç’të dua”, tha një komentuese. “Jam një nënë që rri në shtëpi dhe është 100 herë më e lehtë se puna”, shtoi një tjetër.

Ky është një debat që në fakt vijon prej vitesh. Shumë studime tregojnë se mënyra më e mirë do të ishte gjetja e një balance mes qëndrimit në shtëpi me fëmijët dhe punës.