“Me libra në duar”, një muaj nga ngjarja e Selenicës, ç’po ndodh me Ritvan Zykajn

710
0

Një muaj bëri masakrën në fshatin Resulaj të Selenicës, 24-vjeçari Ritvan Zykaj është më i vetmuar se kurrë. Jo vetëm për faktin që është vendosur të qëndrojë vetëm në qelinë e paraburgimit të Vlorës, por edhe sepse pas kryerjes së krimit asnjë prej familjarëve nuk e ka vizituar.

Ai qëndron i vetëm në dhomë dhe e vetmja gjë që bën shumicën e ditës, mban në duar libra të sugjeruara nga psikologët. Nuk dihet nëse i lexon, por një ditë, kur një anëtar i stafit ka hyrë në qeli, ka parë Ritvanin që e mbante librin mbrapsht.
Ritvani ha ushqimin e burgut, sepse autoritetet nuk lejojnë që atij t’i vijnë ushqime nga jashtë për arsye sigurie. Në asnjë moment nuk e ka refuzuar, duke ngrënë gjithë sasinë që i është ofruar dhe pa bërë kurrë ndonjë kërkesë specifike.
Nga ana tjetër as familjarët nuk kanë shfaqur dëshirën për t’i sjellë ushqime shtëpie, siç ndodh me të dënuarit apo të paraburgosurit e tjerë. I vetmi rast kur një i afërm vizitoi 24-vjecarin, ishte kur i dërgoi disa veshje të nevojshme dhe që atëherë askush nuk është interesuar për të.

Sipas burimeve nga paraburgimi i Vlorës, Ritvan Zykaj nuk ka treguar ndonjë pendesë për krimin e kryer.

Teksa pritet të kryhet ekspertimi mendor, Ritvan Zykaj mbahet i izoluar për të siguruar jetën e tij, pasi përvoja ka treguar se të paraburgosurit ose të dënuarit e tjerë mund të ndëshkojnë në mënyrën e tyre një autor krimi, kur ky i fundit i ka marrë jetën fëmijëve ose grave.