Mbyllja e llotove kthen bilardot: Në lagjet e Tiranës po lulëzon biznesi i ri!

675
0

Ka rënë një qetësi në lagjet e populluara të Tiranës pas mbylljes së llotove. Nuk dëgjohen me britmat, sharjet, mallkimet, apo urra-të kur kishte një gol apo humbej një penallti.

Dhe ato fytyrat e çmeritura të burrave qe kishin lënë rrogën në baste, nuk i sheh më. Një tingull tjetër, një zhurmë pak më e hareshme ka zëvendësuar atë stresuesen e pikave të llotove.

Është kërcitja e gurëve të bilardos. Shumë pika bastesh janë kthyer ne bilardo, dhe ky ngjan se është biznesi në lulëzim i lagjeve.

Edhe ato ekzistueset po njohin ditë të mira.

Visi e bëri bilardo lloton qe kishte tek Selvia.

Ai vetë dhe shokët e tij e kalonin çdo fundjavë me skedina. Sot kërcasin gurët dhe stekat në fushat e gjelbra të bilardove.

– “Shyqyr që u mbyllën lotot. Tani ka filluar lëvizja këtu se më parë rrinin nëpër loto njerëzit,” – thotë Rigersi, që ka një bilardo pranë Kopshtit Zoologjik.

Në zonën e Liqenit Artificial, në një hapësirë rreth 1000 m2 operojnë tre biznese të tilla. Njëri prej tyre ka tre bilardo ndërsa dy të tjerët kanë nga dy. Me një llogari të thjeshtë mund të themi që ato ofrojnë shërbim për minimumi 28 persona në të njëjtën kohë. Një lojë kushton 40-50 lekë të reja. Një shifër pothuajse e përballueshme, krahasuar me ca mijëra lekë të mira që liheshin në baste.

“Në loto dhe apexa lë shumë, këtu maksimumi 2 mijë lekë do harxhosh. Në loto i lutesh Mesit dhe Kristianos të bëjnë gol, këtu e ke vetë stekën në dorë, je ti i zoti i punës. Megjithatë na ka marrë malli për lotot (qesh)”, thotë Toni, një djalë që po vret pasditet e tij me bilat me ngjyra.

Shuma vërtet marramendëse shpenzoheshin në loto e kazino. Tashmë, bilardo ka zënë vendin e pikave të basteve si terapi për mërzinë që ka lënë mbyllja e lotove tek të ndërvarurit meshkuj, që sot në pamje të paktën, duken më miqësorë, më të qetë.

Në bilardo nuk ka kufi moshe. Mund të luajë një burrë 40 vjeç me djalin e tij.

-Djali juaj është ky?

-Po!

-A luan bilardo?

-Luan ndonjëherë me mua, por nuk di mirë, e marrë kështu kot me vete, që mos të mërzitet në shtëpi, – thotë një prind.

Në bisedë e sipër me punëtorët e këtyre bizneseve, gazetari ynë kuptoi që dy nga tre pikat e bilardos në hapësirën prej 1000 m2, janë hapur muajin e fundit. Pra menjëherë pas mbylljes së lotove dhe kazinove.

Po një pyetje mbetet. A do kthehen më bastet?

Gjithçka mbetet për t’u parë.