Mbi 5 mije shqiptarë shkuan me gomone në Angli këtë vit, 300 vetëm të mërkurën

321
0

Më shumë se 5000 shqiptarë kanë shkuar në Angli me gomone këtë vit, duke kaluar ngushticën e La Manshit na Franca. Shifrat, që konsiderohen dramatike nga mediat britanike, u publikuan nga Ministria e Mbrojtjes të enjten.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm të mërkurën 600 vetë mbërritën në ishull përmes rrugëve detare, ku më shumë se gjysma raportohet të jenë shqiptarë.

Ajo që shqetëson më tepër autoritetet është fakti se Shqipëria është një vend i sigurt, ku nuk ka pasur asnjë konflikt prej më gati dy dekadash, është vend anëtar i NATO-s dhe ka nisur negociatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Mediat britanike kanë shkruar së epërmi në javët e fundit në lidhje me grupet kriminale shqiptare që organizojnë kalimin e kanalit të La Manshit, duke reklamuar “biznesin” e tyre në rrjetet sociale, kryesisht TikTok. Sipas mediave, autoritetet i frikësohen faktit se personat e trafikuar, të cilët nuk kanë precedentë penalë, po futen në botën e krimit, në mënyrë që të paguajnë borxhet e marra për të paguar biletën e udhëtimit drejt Anglisë, që shkon në disa mijëra paundë.

Mediat gjithashtu raportojnë se shqetësues mbetet ulja e numrit të deportimeve të shqiptarëve të mbërritur në Britani. Katër vite më parë, Home Office kishte mundësi të kthente mbrapsht deri në 70% të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, por sot kjo shifër ka rënë në 20%, për shkak të shfrytëzimit të hapësirave ligjore në ligjin e “skllavërisë moderne”, ku personat e trafikuar pretendojnë se janë shfyrtëzuar dhe përfitojnë azil.

Deri tani, këtë vit, mbi 21 mijë persona kanë kaluar La Manshin me gomone dhe varka të vogla, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte 28500.