Mbi 16.000 euro të fshehura në autobusin që vinte nga Italia! Policia kufitare “prish” planin shoferit te autobuzit

368
0

Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka sekuestruar diten e sotme shumën 16.500 euro në një autobus që vinte nga Italia. Blutë thanë se shuma e sekuestruar ishin fshehur në ventilatorët e kondicionerëve.

Policia tha se ka proceduar penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasin Sh. V., 55 vjeç, banues në Elbasan, shoferi i autobusit.

Njoftimi i policisë: 

Në Portin e Durrësit, goditet një rast i mosdeklarimit të një shume parash në euro, sekuestrohen 16.500 euro.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë, në hyrje është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, një mjet tip autobus që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin Sh. V., 55 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, në ventilatorët e kondicionerëve u konstatuan të fshehura 16.500 euro, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasi Sh. V., 55 vjeç, banues në Elbasan.