Prej disa ditësh Shqipëria është përfshirë nga temperatura të larta, të cilat kanë kaluar 40°C në disa zona të ulta. Por duke nisur nga dita e premte moti do të “bëjë kthesë”, duke sjellë ulje temperaturash, shoqëruar me reshje dhe rrebeshe.
Ashtu si këto ditët e fundit edhe nesër vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike ndërsa masat ajrore e nxehta nga Afrika e Veriut fillojnë gradualisht tërheqjen e tyre.
Në këtë mënyrë moti parashikohet i kthjellët si dhe alternime vranësirash kalimtare të pakta dhe hera-herës mesatare. Në relievet malore në lindje vranësirat nga orët e mesditës deri ato të pasdites hera-herës do të jenë deri të dendura.
Në relievet malore reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në formën e shtrëngatave. Në mënyrë të izoluar dhe periudha tepër afatshkurtra këto reshje në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-6m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era hera-herës relativisht intensive dhe shpejtësi deri në 7-12m/s.
Temperaturat parashikohen:
në zona malore 18 deri 30°C
në zona e ulëta 19 deri 38°C
në zona bregdetare 22 deri 35°C