“Makina s’do përdoret çdo ditë në Shqipëri” Kufizimi, sipas targave të automjeteve, ja cfarë pritet të ndodhë..

251
0

Kufizim i përdorimit të automjeteve në ditë të caktuara të javës”. Kjo është një prej masave që duhet të zbatohet brenda vitit 2025 me qëllim reduktimin e emetimeve të gazeve me efekt serrë në sektorin e transportit. Gjithçka parashikohet në Planin e ri Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, të nxjerrë për konsultim publik. Ndër të tjera dokumenti sugjeron se kufizimi i përdorimit të automjeteve në ditë të caktuara mund të bëhet sipas targës së makinës, por kjo do të duhet të përcaktohet në vijim nga institucionet përkatëse.

Paralelisht, drafti parashikon dhe një sërë masash të tjera, që gjithashtu duhet të ndërmerren brenda vitit 2025. Ndër to është caktimi i taksave të qarkullimit si dhe studimi për eliminimin e mbivendosjeve të linjave të transportit në itineraret e tyre.

Ndërkohë që, brenda vitit 2026 do të duhen ndërhyrje në drejtim të infrastrukturës, që lidhen me përdorimin e automjeteve me eficiencë energjie dhe përmirësimin e cilësisë së rrugëve, si dhe në drejtim të planifikimit urban duke reduktuar nevojat për lëvizshmërinë dhe distancat me anë të planifikimit të integruar.   

Këto masa synojnë reduktimin e përdorimit të energjisë, që në këtë rast është karburanti.

Sipas dokumentit, transporti me makinë zë përqindjen më të madhe të transportit të udhëtarëve, ndërsa transporti me motoçikletë dhe mjete lundruese zënë një përqindje të vogël. Sa i takon transportit publik, transporti hekurudhor është i papërfillshëm, ndaj transporti me autobus është mënyra e vetme e transportit të përbashkët.