“Ma jep pak kripën”/ Momenti i pabesueshëm që zbuloi për Gjermaninë si të mbrohej nga koronavirusi

3535
0

Gjate nje dreke janari, në një kompani me pjesë makinash, një punëtor iu drejtua një kolegu dhe i kërkoi t’i zgjase pak kripën.

Bashkë me kriporen, në atë çast, ata ndanë koronavirusin e ri, kanë dale në përfundim shkencëtarët.

Fakti që ky shkëmbim u dokumentua, është rezultat i një kontrolli intensiv, pjesë e një historie të rrallë suksesi në luftën globale kundër virusit.

Ata dy punëtorë ishin një nga hallkat e para të atij që do të ishte zinxhiri i parë i dokumentuar i transmetimeve të shumta nga njeriu te njeriu të COVID-19 jashtë Azisë.

Ngjarja ka ndodhur në Stockdorf, një qytet gjerman me 4,000 banorë afër Mynihut, në Bavari, dhe ata punojnë në furnizuesin e pjesëve të makinave “Webasto Group”.

Kompania u fut shpejt nën një mikroskop global pasi zbuloi se një nga punonjësit e saj, një grua kineze, ishte prekur nga virusi dhe e kishte sjellë në selinë e “Webasto”-s. Aty ua kaloi kolegëve, përfshirë një person që drekonte në mensën e punës, me të cilin pacienti kinez nuk kishte asnjë kontakt, zbuluan shkencëtarët.

Skena e 22 janarit ishte një nga dhjetëra incidente të zakonshme që shkencëtarët i kanë hyrë “në themel” për të gjetur, testuar dhe izoluar punëtorët e infektuar në mënyrë që qeveria rajonale e Bavarisë të ndalojë përhapjen e virusit.

Kjo menyre ka ndihmuar Gjermaninë të fitojë kohë të rëndësishme për të ndërtuar mbrojtjet e saj ndaj COVID-19.

Koha e fituar nga Gjermania mund të ketë shpëtuar jetë, thonë shkencëtarët.

Rasti i parë i COVID-19 i transmetuar në vend filloi më herët sesa Italia, por Gjermania ka pasur shumë më pak vdekje. Transmetimi i parë lokal i zbuluar në Itali ishte më 21 shkurt. Në atë kohë Gjermania kishte filluar një fushatë informuese të ministrisë së Shëndetësisë dhe një strategji qeveritare për të trajtuar virusin, i cili do të varej nga testimi i përhapur. Në Gjermani deri më tani, më shumë se 2,100 njerëz kanë vdekur nga COVID-19. Në Itali, me një popullsi më të vogël, totali tejkalon 17,600 të vdekur.

“Ne mësuam se duhet të gjurmojmë me përpikëri zinxhirët e infeksionit në mënyrë që t’i ndërpresim ata”, tha në “Reuters” Clemens Wendtner, mjeku që trajtoi pacientët në Mynih.

Wendtner u bashkua me disa nga shkencëtarët më të mëdhenj të Gjermanisë për të trajtuar atë që u bë i njohur si “grupi i Mynihut”, dhe ata këshilluan qeverinë bavareze se si të përgjigjen. Bavaria udhëhoqi rrugën me bllokimet, të cilat vazhduan në mbarë Gjermaninë më 22 mars.

Shkencëtarët, përfshirë këtu Zyrtarin Kryesor Mjekësor të Anglisë Chris Whitty, e kanë kredituar testimin e hershëm dhe të gjerë të Gjermanisë me ngadalësimin e përhapjes së virusit. “Ne të gjithë e dimë se Gjermania ka përparuar përsa i përket aftësisë së saj për të bërë testime për virusin dhe ka shumë për të mësuar nga kjo” tha ai në TV në fillim të kësaj jave.

Christian Drosten, virologu kryesor në spitalin “Charite” të Berlinit, tha se Gjermania u ndihmua duke pasur një grup të qartë të hershëm. “Fakti që ne e kishim këtë grupim të Mynihut në fillim … u bë e qartë se me një shtytje të madhe, mund ta pengonim përhapjen më tej”, tha ai në radio NDR, ku po fliste për koronavirus.

Drosten, i cili nuk pranoi të intervistohej për këtë histori, ishte një nga më shumë se 40 shkencëtat e përfshirë në shqyrtimin e grupit të Mynihut. Puna e tyre u dokumentua në formë paraprake në një punim në fund të muajit të kaluar, të destinuar për “The Lancet”.

Ditarët elektronikë

Ishte e hënë, 27 janar, kur Holger Engelmann, Drejtori i Përgjithshëm i “Webasto”, u tha autoriteteve se një prej punonjësve të tij ishte testuar pozitiv për koronavirusin e ri. Gruaja, e cila qëndonte me bazë në Shanghai, kishte marrë pjesë në takime në zyrat qendrore të “Webasto”-s.

Prindërit e saj, nga Wuhan, e kishin vizituar atë përpara se të udhëtonte më 19 janar në Stockdorf, thuhej në letër. Ndërsa ishte në Gjermani, ajo ndjeu dhimbje të pazakonta në gjoks dhe në shpinë dhe ishte e lodhur përgjatë gjithë kohës së qëndrimit të saj. Por ajo nuk u dha shumë rëndësi simptomave.

Gjendja e saj u përkeqësua gjatë fluturimit të kthimit për në Kinë, ajo u testua pozitive pas zbarkimit dhe u shtrua në spital. Prindërit e saj gjithashtu më vonë u testuan pozitivë. Ajo njoftoi menaxherët e punës për rezultatin dhe ata u dërguan e-mail drejtuesve në Gjermani.

Në Gjermani, Engelmann tha se ai menjëherë krijoi një ekip krize që paralajmëroi autoritetet mjekësore dhe filloi të përpiqej të gjurmonte anëtarët e stafit që kishin qenë në kontakt me kolegen e tyre kineze.
Vetë CEO ishte midis tyre. “Vetëm katër ose pesë ditë para se të merja lajmin, unë kisha shtrënguar duart me të”, tha ai.

Tani i njohur si “Rasti 0” i Gjermanisë, pacientja nga Shanghai është një “punonjëse afatgjatë, e vlerësuar nga menaxhimi i projektit”, të cilën Engelmann e njeh personalisht, sipas deklaratës së tij për “Reuters”. Kompania nuk ka zbuluar identitetin e saj ose atë të të tjerëve të përfshirë, duke thënë se anonimiteti ka inkurajuar stafin të bashkëpunojnë në përpjekjet e Gjermanisë për të përmirësuar situatën me virusin.
Detyra për të gjetur se kush kishte kontakte me të u bë më e lehtë nga kalendarët elektronikë të punëtorëve në “Webasto” – për pjesën më të madhe, ajo që kishin nevojë të gjithë mjekët, ishin të shikonin takimet e stafit.

“Ishte një goditje fati”, tha Wendtner, mjeku që trajtoi pacientët në Mynih. “Ne morëm të gjithë informacionin që na duhej nga stafi për të rindërtuar zinxhirët e infeksionit”.

Për shembull, çështja 1 – personi i parë në Gjermani që u infektua nga gruaja kineze – u ul pranë saj në një takim në një dhomë të vogël më 20 janar, shkruajnë shkencëtarët.
Kur të dhënat e kalendarit ishin jo të plota, thonë shkencëtarët, ata shpesh ishin në gjendje të përdornin renditjen e gjenomit, i cili analizon ndryshimet në kodin gjenetik të virusit nga pacientë të ndryshëm, për të hartuar përhapjen e tij.

Duke ndjekur të gjitha këto lidhje, ata zbuluan se çështja 4 kishte qenë në kontakt disa herë me pacientin nga Shanghai. Atëherë çështja 4 u ul prapa me një koleg në kantinë.

Kur ai koleg u kthye të huazojë kripën, shkencëtarët morën vesh, virusi kaloi mes tyre. Kolegu u bë çështja 5.

Webasto tha në 28 janar se po mbyllte përkohësisht degën e saj të Stockdorf. Midis 27 janarit dhe 11 shkurtit, gjithsej 16 raste COVID-19 u identifikuan në grupin e Mynihut. Të gjitha, përveç njërit, zhvilluan simptoma.
Të gjithë ata që u testuan pozitivë u dërguan në spital që të mund të vëzhgoheshin dhe mjekët mund të mësonin nga sëmundja.

Bavaria mbylli jetën publike në mes të marsit. Që atëherë Gjermania ka mbyllur shkollat, dyqanet, restorantet, terrenet e lojërave dhe objektet sportive, dhe shumë kompani janë mbyllur për të ndihmuar kauzën.

Godit dhe vallëzo
Kjo nuk do të thotë se Gjermania e ka mposhtur COVID-19.
Shkalla e vdekjes së saj nga koronavirusi, prej 1.9%, bazuar në të dhënat e mbledhura nga “Reuters”, është më e ulëta midis vendeve më të prekura dhe krahasohet me 12.6% në Itali. Por ekspertët thonë se më shumë vdekje në Gjermani janë të pashmangshme.

“Shkalla e vdekjes do të rritet”, tha Lothar Wieler, presidenti i Institutit “Robert Koch” të Gjermanisë, për sëmundje infektive.

Dallimi midis Gjermanisë dhe Italisë është pjesërisht statistikor: Shkalla e Gjermanisë duket shumë më e ulët sepse vendi ka testuar gjerësisht.

Gjermania ka kryer më shumë se 1,3 milionë teste, sipas Institutit “Robert Koch”. “Tani po kryen deri në 500,000 teste në javë”, tha Drosten. Italia ka kryer më shumë se 807,000 testime që nga 21 shkurti, sipas Agjencisë së saj të Mbrojtjes Civile. Me disa përjashtime lokale, Italia teston vetëm personat e dërguar në spital me simptoma të qarta dhe të rënda.

Qeveria e Gjermanisë po përdor javët e fituara nga përvoja e Mynihut për të dyfishuar numrin e shtretërve të kujdesit intensive, në rreth 28,000. Vendi tashmë ka numrin më të madh të shtretërve të kujdesit kritik në Evropë në raport për kokë të popullsisë, sipas një studimi të vitit 2012.

Por edhe kjo mund të mos jetë e mjaftueshme. Një letër e Ministrisë së Brendshme dërguar departamenteve të tjera të qeverisë më 22 mars përfshinte një skenar të rastit më të keq, me më shumë se 1 milion vdekje.
Një skenar tjetër parashikoi 12,000 vdekje – me më shumë testime pas relaksimit të pjesshëm të kufizimeve. Ky skenar u quajt “godit dhe vallëzo”, një term i krijuar nga blogeri Tomas Pueyo. I referohet “goditjes” së masave të shpejta agresive për disa javë, përfshirë distancimin e rëndë shoqëror, të ndjekur nga “vallëzimi” i kalibrimit të masave të tilla në varësi të shkallës së transmetimit.

Gazeta e qeverisë gjermane argumentoi që në skenarin “godit dhe vallëzo”, përdorimi i të dhënave të mëdha dhe përcjellja e vendndodhjes është e pashmangshme. Një monitorim i tillë tashmë po dëshmohet i diskutueshëm në Gjermani, ku kujtimet e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore “Stasi” dhe informatorëve të saj, janë ende të freskëta në mendjet e shumë njerëzve.
Një project-plan i mëpasshëm i veprimit i hartuar nga qeveria propozon gjurmimin e shpejtë të zinxhirëve të infeksionit, mbajtjen e detyrueshme të maskave në publik dhe kufijtë e tubimeve për të ndihmuar një mundësi kthimi në faza të jetës normale, pas bllokimit të Gjermanisë. Qeveria po mbështet zhvillimin e një aplikacioni smartphone për të ndihmuar në gjurmimin e infeksioneve.

Gjermania ka thënë se do të rivlerësojë bllokimin pas festës së Pashkëve. Për prodhuesin e pjesëve të makinave në zemër të shpërthimit të saj të parë, kriza e menjëhershme ka përfunduar. Zyra e “Webasto”-s është rihapur.
Të 16 personat që u prekën nga COVID-19 atje, janë rikuperuar.

Burimi: REUTERS