Me gjasë e keni vënë re që në rrugët e kryeqytetit ka shumë të pastrehë dhe lypës që halli i ka detyruar t’i luten gjithkujt që u kalon para këmbëve për një kafshatë bukë.
E po ashtu, me siguri keni vënë re që shpesh lypësit e të pastrehët afrohen edhe pranë xhamave të makinave për të kërkuar lëmoshë. Në fakt kjo është e rrezikshme si për drejtuesit e mjetit, por skamja mbase i justifikon deri diku.
Në kushte ideale, askush nuk do të zgjidhe si mënyrë jetese shtrirjen e dorës nëpër rrugë.
Ajo çka e ka karakterizuar shoqërinë tonë ndër vite është bujaria dhe zemërgjerësia. E themi në të shkuarën sepse brezat e sotëm kanë ndryshuar shumë.
Një rast i shëmtuar dhe njëherësh i dhimbshëm është shënuar në Tiranë, ku një lypës ka ndaluar para makinës së dy djemve me siguri për të kërkuar ndonjë qindarkë.
Djemtë jo vetëm që nuk i japin gjë, por tallen me të moshuarin dhe ia fusin ca shpulla.
të dy djemtë janë bashkëfajtorë në këtë mes, sepse njëri vepron dhe tjetri filmon poshtërsinë e shokut të tij ndaj të moshuarit.
Sipas qytetarit që ka denoncuar rastin pranë JOQ Albania, i moshuari mbi të gjitha është edhe me probleme mendore.
Kjo është shoqëria e kohëve ku po jetojmë, produkt i një sistemi me keq arsimimin, varfëri, snobizëm dhe vlerësues i formës e jo i përmbajtjes.
Pasi të shihni videon, komentet u takojnë juve.