Luljeta realizon dëshirën që priste prej 27 vjetësh (VIDEO)

110
0

Luljeta ka ardhur posaçërisht nga Anglia në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të  rivendosur kontaktet me një person shumë të veçantë. Ajo rrëfen në programin “E Diela  Shqiptare” në Tv Klan se këtë person e takoi rreth moshës 23-24 vjeçare kur erdhi nga Erseka në Tiranë në kërkim të më të mirës për veten.

Asokohe Elvana vuante edhe nga problemet shëndetësore, për të cilat më pas u kurua në Angli dhe sot jeton shumë mirë vetëm me një veshkë. Por kur ajo kalonte momentet e vështira, pranë kishte mikeshën e saj, Elvanën që ishte mbështetja e saj më e madhe.

Luljeta: U njoha me një shoqe, jam njohur në kishë. Elvana ishte një vajzë, nuk di si ta përshkruaj. Ishte një vajzë e ëmbël, shpirtmirë, një zemër shumë të madhe, më jepte ndihmë në maksimum.

Ardit Gjebrea: Elvana ishte nga Tirana?

Luljeta: Po, nga Tirana. Ishte një vajzë që nuk e di… e shkëlqyer nga të gjitha anët.

Ardit Gjebrea: Çfarë bënte Elvana për ty?

Luljeta: Ajo bënte për mua që të ndihesha mirë në shumë aspekte të jetës. Për shembull unë kam qenë shumë e turpshme, e tërhequr…

Ardit Gjebrea: Në momentet e tua të vështira ajo të është gjendur gjithmonë pranë, unë e di sepse e kam lexuar historinë tënde dhe të ka dhënë kurajë gjatë gjithë kohës. 

Luljeta: Jashtëzakonisht.

Ardit Gjebrea: Sidomos në momentet e tua të rënduara shpirtërore, ajo ka qenë një dritë gëzimi për ty, një rreze shprese dhe të thoshte “do të bëhet më mirë, ki besim”.

Luljeta: “Ki besim” dhe gjithmonë më thoshte “ti do bëhesh mirë dhe ti do kesh një jetë aq të lumtur sa do shikosh se ç’do ndodhë më pas”.

Ardit Gjebrea: Dhe kur erdhi Chris në jetën tënde, ti Luljetë e dashur, të parës që ia ke thënë ka qenë Elvana.

Luljeta: Po, edhe asnjërit nga të familjes time, i kam thënë Elvanës.

Ardit Gjebrea: Dhe Elvana çfarë tha?

Luljeta: Elvana u gëzua aq shumë sa nuk e imagjinoje dot. Më thoshte, më puthte, më përqafonte “o Zot i madh çfarë lumturie që kam për ty o Zot dhe shiko Zoti të dha atë që ti meriton dhe atë realizimin të mrekullueshëm që…”

Luljeta e prezantoi mikeshën e saj me bashkëshortin, i cili është anglez, quhet Chris dhe me të ka një djalë e një vajzë. Djali i Luljetës është martuar vetëm një javë më parë me një vajzë shqiptare. Kur Elvana takoi Chris, ajo ishte tej mase e lumtur për shoqen e saj.

Luljeta i caktoi vendin e nderit në dasmë së bashku me familjen e saj dhe më pas emigroi drejt Anglisë. Atje vajzat nisën të mbanin letërkëmbim, Luljeta solli në jetë djalin ndërsa Elvana vajzën, por krejt papritur, kontaktet u shkëputën për 27 vjet.

Ardit Gjebrea: Si ndodhi që ju papritmas e humbët njëra-tjetrë?

Luljeta: Papritmas ndodhi kjo gjë sepse unë ndërrova shtëpi dhe kur ndërron shtëpi ke adresë të ndryshme sigurisht dhe në atë moment humbëm kontaktet.

Ardit Gjebrea: Numër telefoni nuk kishit?

Luljeta: Kishim numër telefoni por numri i telefonit të prindërve të saj nuk punonte sepse në atë kohë prindërit humbën jetën, unë dërgoja letra dhe letrat më vinin mbrapsht.

Ardit Gjebrea: Ndoshta do të ketë ndryshuar dhe ajo shtëpi.

Luljeta: Po, por ishte ky problem në fakt sepse ajo u martua dhe kishte mbiemrin e burrit se unë për emrin e dija dhe u mundova në rrjetet sociale…

Ardit Gjebrea: Po pra se sot përmes rrjeteve sociale çfarë nuk gjen.

Luljeta: Oh bëra çfarë të të them, të pamundurën, ishte e pamundur. Kur i thashë vajzës time që o Zot i  madh që në qoftë se gjej atë shoqen time që e dua aq shumë, do jetë një mrekulli, një madhështi për mua.

Ky ishte momenti kur Luljeta vendosi të bënte përpjekjen e saj të fundit dhe të kontaktonte “Ka Një Mesazh Për Ty” me shpresën për të rigjetur mikeshën. Moderatori Ardit Gjebrea i përcjell lajmin emocionues se stafi i rubrikës ka arritur të gjejë Elvanën, një moment që e bën Luljetën të lotojë nga gëzimi./tvklan/

“Ka Një Mesazh Për Ty” ka mundur të gjejë Elvanën dhe ajo e pranoi ftesën për të ardhur. Kur hapet pamja në ekran reagimi i saj ndaj Luljetës është tërësisht i natyrshëm sepse e kujton ndryshe por mjaftojnë pak detaje për ta bërë të emocionohet.

Elvana: Nuk e njoh.

Ardit Gjebrea: Ndërsa ajo tha nuk “ka ndryshuar fare, siç e kam lënë unë para 27 vitesh, ashtu është”.

Elvana: Në Angli?

Ardit Gjebrea: Në Angli.

Elvana: Me një çun të vogël?

Ardit Gjebrea: Po.

Elvana: Po, tani më ra ndërmend. E kam dhe foton e saj, ma ka dërguar.

Ardit Gjebrea: Ai çuni para pak ditësh është martuar ë, sa për dijeni. Është martuar dhe me një shqiptare.

Elvana: Urime!

Ardit Gjebrea: Po ti sa fëmijë ke?

Elvana: Unë dy goca.

Ardit Gjebrea: Dhe Luljeta… po pse duhet t’i them unë gjërat, më mirë t’i thotë vetë. Je kureshtare ta dëgjosh?

Elvana: Po.

Luljeta: O zot i madh, më ka marrë shumë malli!

Elvana: Edhe mua.

Luljeta: O Elvana, nuk e di çfarë mund të them por ti për mua ke qenë një shoqe, një motër, gjithçka e mrekullueshme që për këtë arsye kam ardhur vetëm për ty që të të përqafoj edhe një herë. Jam shumë, shumë, shumë e lumtur që ti erdhe të them të drejtën. Jam shumë e lumtur.

Elvana: Edhe unë.

Luljeta: Dhe nuk e di si mund ta shpreh sepse kam aq shumë emocione sa një Zot e di.

Me sy të përlotur dhe emocione të forta, dy mikeshat i japin njëra-tjetrës një përqafim të ngrohtë të ruajtur prej 27 vjetësh.