‘Luftë’ vëllezërish për një ‘copë tokë’ në Lushnjë, vdes 70-vjeçari që u qëllua me plumb në kokë! Tjetri i plagosur me sëpatë, në spital

282
0

Në fshatin Çukës të Lushnjës, dy vëllezër u përfshinë në konflikt për çështje pronësie, ku njëri mbeti i vdekur e tjetri i plagosur. Shkak për sherrin që nisi me sëpata e përfundoi tek pistoleta është bërë një sipërfaqe e vogël toke, e cila ndodhet mes dy shtëpive të vëllezërve Musai.

Burimet bëjnë të ditur se vëllezërit nuk kishin gjetur dakordësinë për ta përdorur këtë tokë si rrugë për të futur makinat në oborret e shtëpive. Fillimisht Haziz Musai 70-vjeç ka goditur me sëpatë të vëllanë, Nazifin 77-vjeç, duke i shkaktuar plagë në trup. Më pas 77-vjecari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në kokë vëllanë. 70-vjecari Haziz Musai u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Shefi i komisariatit të Lushnjes, Edmond Pjetraj dha detaje nga vendngjarja.

‘Dy vëllezër pas një konflikti për motive pronësie, fillimisht me sende të forta, konflikti ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit. Policia ka marrë masat, është sekuestruar arma, është kapur autori dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore.’- tha Edmond Pjetraj, drejtuesi i komisariatit të Lushnjës.

I plagosur mbeti 77-vjeçari, i cili po merr mjekim në spitalin e Lushnjës. Në dëshminë e parë për hetuesit, Naziz Musai deklaroi se vëllai i vogël e ka goditur disa herë, duke e vënë poshtë, kështu u detyrua të nxirrte armën. I moshuari tha se debatet për tokën kanë qenë të vazhdueshme mes tyre.