“Luajtëm playstation, më pas fillova t’i gjuaj pa u ndalur”, 17-vjeçari qante teksa tregonte krimin para gjykatesve..

669
0

“Në momentin që mora thikën në dorë, fillova të gjuaj pa u ndalur sepse mendova se do të ishte më keq nëse ndaloja. Nuk më kujtohet sa herë kam goditur vëllain tim të vogël, por e di se ka qenë shumë”, këto ishin fjalët e para që tha 17-vjeçari që vrau prindërit dhe vëllain në Itali.

Para trupit gjykues, ai po qante teksa po tregonte krimin makabër që kreu. Me gjakëftohtësi ai goditi familjen e tij dhe fjalët që ai tha mjaftojnë për të na bërë të kuptojmë se çfarë ndodhi në atë dhomë gjumi: 68 plagë me thikë gjithsej, veçanërisht në zonën e qafës. 12 goditje me thikë nënës, 17 babait, të tjerat… vëllait të vogël që po flinte.

“Ishte një mendim që e kisha në kokë gjatë gjithë ditës. E kisha menduar tashmë ta kryeja këtë akt. Nuk ishte një ide spontane. Mendova se duke i vrarë ata mund të jetoja në një botë të lirë. Mendova se duke u shkëputur nga familja mund të jetoj vetëm. Kisha ndërmend ta bëja një natë më parë. Por nuk e bëra sepse nuk isha i bindur. Nuk e ndjeva”, tha ai.

Në fillim ai dha një version tjetër të dëshmisë, duke fajësuar babain për krimin makabër, më pas rrëfeu se ishte po vetë ai që e kreu vrasjen e shumëfishtë.

“Prindërit e mi kishin fjetur. Pashë pak televizor dhe shkova në tualet. Në një moment dëgjova vëllain tim duke bërtitur. Pastaj u ngjita lart: babai im në këmbë, por i përkulur përpara drejt shtratit të vëllait tim, nëna ime në dysheme. Mora thikën dhe e godita. Ai u kthye dhe u përpoq të reagonte. Fillova ta godisja sërish edhe kur ishte në tokë”, rrëfeu ai herën e parë. Të njëjtin version që Riçardo i dha dhe operatorit të policisë kur telefonoi për ndihmë. “Babi vrau mamin dhe vëllanë dhe unë e vrava atë”, ishin fjalët e tij të para. “Por pse babai juaj e bëri diçka të tillë? Kishte probleme shëndetësore? Çfarë problemesh kishte në shtëpi?” pyeti operatori si fillim për të qetësuar 17-vjeçarin. “Jo, jo me nënën time. Nuk e di pse e bëri këtë”, tha ai në atë kohë.

Historia mori një kthesë tjetër sapo policia hyri në shtëpi. Kishte njolla gjaku në shkallë, drita ishte e ndezur në dhomë. Në fund Riçardo pranoi gjithçka.

“Plani ishte të vrisja me thikë vëllanë dhe babanë tim dhe më pas të pretendoja se nëna ime më kishte sulmuar dhe unë isha mbrojtur. Pastaj, kur pashë që ata nuk vdiqën, ndryshova historinë time, duke pretenduar se ishte babai im”, tha ai.

Në rrëfimin e tij ai rindërton sërish historinë, kur flet për darkën e ditëlindjes së 51-të të babait të tij, mbrëmjen e së shtunës, ku të pranishëm ishin dhe të afërmit e tij. “Një mbrëmje shumë normale. Unë dhe vëllai im ishim në dhomë me disa shokë, po luanim PlayStation. Pastaj nuk e mbaj mend në cilën orë, por fjetëm pas orës 10. Prita momentin e duhur, pasi gjithë familja ishte në gjumë, zbrita në kuzhinë dhe mora thikën, Gjithçka ndodh pak para orës dy”, rrëfeu ai.

Mbi të rëndon edhe akuza e vrasjes me paramendim. “E kisha menduar tashmë kryerjen e këtij akti. Nuk ishte një ide që kisha mbrëmë”, ka pranuar ai, por avokati mbrojtës i 17-vjeçarit, Amedeo Rizza tha se ai është penduar. “Ai është kthjelluar dhe është penduar, ai e di që nuk mund të kthehet më ajo që ai bëri. Por ai nuk e kishte paramenduar krimin”, tha Rizza.

Në ekzaminimin e ri, 17-vjeçari saktësoi se nuk kishte menduar kurrë më parë të vriste familjarët e tij, por vetëm se po përjetonte shqetësime të rënda dhe po mendonte çdo mënyrë për t’u larguar prej familjes. Por kurrë nuk mendonte t’i vriste. Ai tha se imagjinonte të largohej nga shtëpia, por nuk e bëri këtë. Më pas ai tha se kishte dëshirë të shkonte në Ukrainë, për të parë vuajtjet e njerëzve. Në qelinë e tij në Beçaria CPA ai takohet me edukatorë dhe psikologë dhe lexon librat që mori nga biblioteka e burgut dhe ka një kërkesë… kur mund të takohet sërish me gjyshërit.