Lotaria Amerikane, a do ta ndërpresë Trump në mes ëndrrën e shqiptarëve?

945
0

Ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të enjten një plan mjaft të ashpër për reformimin e sistemit të emigracionit për të favorizuar aplikantët që flasin anglisht, që janë të arsimuar dhe kanë kontrata pune.

Me anë të këtij plani kreu i Shtëpisë së Bardhë synon t’i japë fund njëherë e përgjithmonë Lotarisë Amerikane, një vendim që do të shuante ëndrrën amerikane të shumë qytetarëve shqiptarë. Falë Lotarisë amerikane, qeveria amerikane pajis me karta jeshile 50,000 qytetarë nga vende me përqindje të ulëta emigrantësh në Shtetet e Bashkuara, duke u ofruar kështu mundësinë edhe shumë shqiptarëve që të emigrojnë drejt SHBA-ve.

Propozimi i Trump, do ta çonte numrin e personave të pajisur me karta jeshile dhe statusin e banorit të përhershëm në rreth 1.1 milionë në vit, por do të ndryshonte mënyrën se si ata përzgjidhen, duke u dhënë përparësi individëve me aftësi të veçanta dhe të arsimuar, me perspektiva punësimi apo investimesh, në vend të lidhjeve familjare me qytetarë amerikanë, ose nevojave humanitare.

“Nëse plani nuk miratohet nga ky Kongres, atëherë do ta miratojmë pas zgjedhjeve ku do të fitojmë” tha Trump. Por pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, nëse Trump i fiton në 2020-ën, do t’i duhen edhe dy vite për të formuar shumicën në kongres përmes zgjedhjeve të mes-mandatit. Pra nëse presidenti vendos t’i shkojë deri në fund planit të tij, Lotaria Amerikane do të mund të mbyllet në 2023-in.

Sipas tij, ky plan do të forcojë sigurinë e kufijve dhe të krijojë një sistem bazuar tek merita. Edhe pse ka hasur në kundërshtimin e ashpër të demokratëve, kreu i Shtëpisë së Bardhë është i bindur se njerëzit që vijnë përmes lotarisë, janë njerëz me aftësi të ulëta.

“Ne diskriminojmë gjenitë. Ne diskriminojmë të shkëlqyerit. Kjo nuk do të ndodhë me miratimin e këtij ligji”, tha ai.

Aktualisht, 12 për qind të emigrantëve lejohet të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, bazuar në aftësitë e tyre dhe 66 për qind farë lidhjeve me familjare. Sipas planit, 57% për qind e vizave të emigrantëve do t’u jepen individëve me aftësi të veçanta apo oferta punësimi dhe vetëm 33% personave me lidhje familjare. Vizat për arsye humanitare duhet të reduktohen nga 22% në 10%.
Edhe pse Trump është i bindur që propozimet e tij të miratohen nga Kongresi, plani i tij nuk është mbështetur deri tani as nga partia e tij republikane, aq me pak nga demokratët që e kanë kundërshtuar.

Trump kundër Lotarise Amerikane

Duke folur për mediat të enjten, Trump tha se Lotaria Amerikane pajis emigrantët me karta jeshile pa marrë parasysh aftësitë, meritën apo sigurinë e popullit amerikan.

Megjithatë, një sërë ekspertësh dolën kundër presidentit duke e akuzuar presidentin për pretendime të rreme, duke thënë se Lotaria Amerikane nuk “ofron rastësisht” viza të përhershme ose karta jeshile.

Departamenti i Shtetit bën çdo vit një kontroll të të përzgjedhurve përpara se të publikojë listën e fituesve. Pjesëmarrësit duhet të kenë arsim të mesëm ose të kenë punuar për dy vjet në një punë të kualifikuar. Emrat e tyre verifikohen dhe kontrollohen nga agjentët e anti-terrorizmit. Secili nga 50,000 fituesit e Lotarisë Amerikane çdo vit intervistohet në një Ambasadë Amerikane para se të lejohet të hyjë në SHBA.

Por Trump thotë se programi paraqet kërcënime që lidhen me terrorizmin, duke e konsideruar këtë pretendim si një arsye për t’i dhënë fund Lotarisë, por edhe të ashtuquajtur “emigracioni zinxhir, i cili u lejon qytetarëve të marrin të afërmit e afërt për të emigruar në SHBA.

“Zgjedhja e rastësishme është në kundërshtim me vlerat amerikane dhe bllokon shumë emigrantë të kualifikuar nga e gjithë bota të cilët kanë shumë për të kontribuar,” këmbënguli Trump. “Sipas rregullave të pakuptimta të sistemit aktual, ne nuk jemi në gjendje t’i japim përparësi një doktori, një studiuesi, një studenti që është diplomuar në një nga kolegjet më të mira në botë”, tha presidenti.

Sipas planit të ri, emigrantët që duan të shkojnë në SHBA duhet të jenë të vetë- financuar, të dinë rrjedhshëm anglisht dhe të kalojnë disa provime.

“Nëse miratohet, plani ynë do të transformojë sistemin e emigracionit të Amerikës në krenarinë e kombit tonë dhe në zilinë e botës moderne,” shtoi Trump.

Por ai nuk është presidenti i parë që synon të ndërmarrë të tilla ndryshime. Përpjekjet për të përmirësuar sistemin e emigracionit nuk kanë shkuar askund për tre dekada për shkak të ndarjeve të thella partiake. Por Trump duket më i vendosur se paraardhësit për t’i dhënë fund programit të Lotarisë Kombëtare, duke shuar shpresat e e qytetarëve nga Shqipëria dhe mbarë bota.

A mund ta mbyllë Trump Lotarinë Amerikane

Propozimi Trump duhet të miratohet fillimisht nga Kongresi Amerikan, ku demokratët aktualisht kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ky plan është i vdekur pa mbërritur ende në Kongres dhe nuk është një propozim serioz” tha Nancy Pelosi, kryetarja e Partisë Demokratike. “Ai po thotë se shumica e njerëzve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara janë pa merita, sepse nuk kanë diplomë inxhinierike?”, pyeti ajo.

Pelosi ishte e ashpër ndaj planit të Trump duke thënë se ai nuk përfshin asnjë mbrojtje për të rinjtë që mbërrijnë në SHBA me studime dhe nuk përfshin ndonjë plan për 11 milion emigrantët pa dokumente që ndodhen aktualisht në SHBA dhe që kanë nevojë për shtetësi”, shtoi.

Nga ana tjetër senatorja demokrate Pramila Jayapal tha se propozimet minonin sistemin e amerikan të emigraconit, të bazuar tek familja, të cilin ajo e përshkroi si “gurthemeli e politikës së emigracionit”.

Edhe pse nuk ka gjasa që plani i ri të miratohet në Kongres, analistët thonë se Trump po përpiqet të bashkojë republikanët nën një politikë të vetme kundër emigracionit përpara zgjedhjeve presidenciale. Plani për t’i dhënë fund Lotarisë pritet të jetë një nga premtimet kryesore të fushatës së ardhshme presidenciale.

Megjithatë sipas ekspertëve, shumë grupe biznesi nuk kanë gjasa të jenë entuziastë për propozimin Trump sepse nuk i vjen në ndihmë fermerëve dhe punëdhënësve të tjerë sezonal të rekrutojnë punëtorë të përkohshëm.

Ali Noorani, drejtor ekzekutiv i Forumit Kombëtar të Emigracionit, tha se Trump kishte planifikuar të punësonte inxhinierë të kualifikuar, por jo punëtorë fermash.

“Problemi është se ekonomia jonë ka nevojë për të dyja,” tha ai.

Planet e shefit të Shtëpisë së Bardhë gjithashtu nuk kanë gjasa të pranohen nga shumë politikanë të djathtë, pavarësisht se dëshirojnë një rënie të përgjithshme të numrit të emigrantëve.

Komentatori konservator Ann Coulter thotë se propozimi I Trump është “një premtim fushate, dhe jo një projektligj serioz”. Presidenti Trump e ka kthyer gjithnjë emigracionin në kryefjalën e fushatës së tij zgjedhore, ashtu siç bëri ndërtimin e një muri përgjatë kufirit meksikan.

Pavarësisht premtimeve të Presidentit Donald Trump për të mbyllur Lotarinë, mijëra njerëz nga e gjithë bota do të kenë ende mundësinë për të emigruar ligjërisht në Shtetet e Bashkuara dhe për të arritur ëndrrën amerikane nëpërmjet programit.

Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili administron programin e vizave, njoftoi të martën se do të vazhdojë me lotarinë për 50,000 viza të disponueshme për vitin 2020. Fituesit do të nxirren nga përzgjedhja e rastësishme.

Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane në vitin 2018, duke u renditur kështu të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për këtë lotari. Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptareve që aplikuan për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord prej 367 mijë, sipas statistikave të Departamentit amerikan të Shtetit .

Në Europë vendet me përqindjen më të lartë që kishin aplikuar në programë ishin vendet e lindjes, ku Shqipëria mbante rekordin. Sipas të dhënave të Pee Research Center, pas Shqipërisë renditet Moldavia me 11% të popullsisë dhe Armenia me 9%.

Përfituesit e vizave përzgjidhen rastësisht dhe mund të hyjnë në SHBA afërsisht dy vjet pas aplikimit të tyre fillestar. Për shembull, fituesit e lotarisë që aplikuan në vitin kalendarik 2017 kanë kohë deri më 30 shtator 2019, për të marrë vizën e diversitetit.

Megjithatë, jo të gjithë banorët e shteteve të botës mund të aplikojnë. Për shembull, banorët e Meksikës, Kinës dhe Indisë nuk mund të aplikojnë për shkak të numrit të madh të emigrantëve që kanë dërguar në SHBA.

Lista e vendeve të kualifikuara mund të ndryshojë çdo vit. Për shembull, për shkak të rritjes së emigracionit në SHBA, qytetarët e Bangladeshit u bënë të papërshtatshëm për lotarinë duke filluar nga viti 2011 dhe ata nga Nigeria u bënë të papërshtatshëm që nga viti 2013.

Të tjerë mund të fitojnë të drejtën për lotarinë nëse imigrimi në SHBA ngadalësohet, siç ishte rasti me qytetarë të Rusisë, të cilët filluan të kenë të drejtën që në fillim të vitit 2008, ndërsa ata nga Polonia nisën aplikimet duke filluar nga viti 2012./gazetasi/