Loja u kthye në tragjedi/ Ky eshte 15-vjeçari shqiptar që u tërhoq 150 m zvarrë nga treni në Itali

286
0

Një aksident tragjik ka ndodhur së fundmi në Itali. Dy 15-vjeçarë janë përplasur për vdekje nga një tren në stacionin Berbenno në Valtellina, Lombardi.

Manuel Gabriel Tejada Reyes nga Argjentina dhe Meriton Ajeti nga Kosova, janë dy të miturit që humbën jetën. Hetuesit kanë dyshime se një lojë e tyre, për të kaluar në krahun tjetër të shinave me vrap në këmbë, është kthyer në tragjedi. Pasi dy 15-vjeçarët kanë refuzuar të përdorin nënkalimin për të kaluar në krahun tjetër, ata janë përplasur për vdekje nga treni.

Fëmijët kishin qenë në një park lojërash bashkë me miqtë e tyre, të cilët nuk u bënë pjesë e sfidës për të kaluar shinat. Ata kanë deklaruar se pasi dy miqtë u përplasën nga treni, trupat e tyre u tërhoqën 150 metra zvarrë.

Policia ka sekuestruar celularët e viktimave dhe miqve të tyre për të zbardhur më shumë detaje rreth kësaj ngjarje të rëndë.

15-vjeçari me origjinë shqiptare, Meriton Ajeti përshkruhet nga fqinjët si një djalë i vogël gazmor, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar nënën e tij në punët e shtëpisë pasi para disa vitesh humbi babanë nga sëmundja. Ai la pas një vëlla me aftësi të kufizuara dhe dy motra të vogla. Ai ishte burri i shtëpisë, megjithëse shumë i ri. Trupi i pajetë do të dërgohet në Kosovë ku ka lindur.