Llogaritë nuk dalin, rritja e çmimeve 2-fish më e lartë se sa indeksimi i pensioneve nga qeveria

308
0

Jetesa e një pensionisti është shtrenjtuar 2 herë më shumë se sa ndihma që u dha qeveria në paketën e dytë të rezistencës.

Krahasuar me shtatorin e një viti më parë, për bukën, vajin, vezën, mishin e produktet e tjera të konsumit si dhe shërbimet e nevojshme një i moshuar po paguan 20 për qind më shumë, që përkthyer në para’ janë rreth 4 mijë e 800 lekë.

Ndërkohë, përfshirë indeksimin e muajit prill, pensionet në fshat e qytet janë rritur me 9.3 për qind, që përkthyer në të holla do të ishin respektivisht 1 mijë lekë më shumë për të moshuarit në fshat e 1 mijë e 600 lekë për ata në qytet.

Për shkak të pagave të ulëta, shqiptarët janë populli që shpenzojnë përqindjen më të lartë të të ardhurave për ushqim. Sipas përllogaritjeve të Institutit Europian të Statistikave, 42 për qind e asaj që një qytet në vend merr shkon për ushqim dhe pije jo-akoolike, ndërsa në Rajon dhe Europë ky tregues është në nivele ndjeshëm më të ulëta.

Ndryshe nga sa ndodhi në paketën e parë e cila përfundoi në qershor, të moshuarit nuk do të marrin 3 mijë lekë çdo muaj, por pensionet e tyre do të rriten me 6 për qind.