Lira Gjika: Prindër kujdes! Shprehje të tipit “e kam shok djalin apo vajzën”, zhvlerësojnë atë që është baza e jetës..

1060
0

Shprehjet: “unë e kam shok djalin apo vajzën”, apo shprehja tjetër “përpiqem të jem shok me fëmijën tim”, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet prind-fëmijë dhe që po perceptohen si tregues cilësorë, janë shprehje zhvleftësuese për marrëdhënien prindërore.

Marrëdhënia prind-fëmijë është marrëdhënia bazë në jetën e njeriut. Ajo është marrëdhënia “i rritur-i parritur”, marrëdhënia, që shmang ose jo mbijetesën, ushqen sigurinë ose pasigurinë dhe besimin ose mosbesimin te vetja dhe tjetri. Marrëdhënia prind-fëmijë, natyrisht që duhet të udhëhiqet nga parimet e barazisë, por si njerëz, pra të konsiderohet fëmija njeri dhe jo i vogël.

Kjo marrëdhënie, nuk duhet ngatërruar, anashkaluar apo krahasuar me marrëdhënie të tjera, që natyrisht, e kanë origjinën te kjo marrëdhënie, por nuk janë e njëjta gjë. Të qenit shokë me fëmijën, është të ngatërrosh konceptin e barazisë me atë të shoqërisë. Njeriu në fëmijëri ka nevojë për marrëdhënien themel që është marrëdhënia prindërore, e cila lidhet me familjen dhe shtëpinë. Pa këtë marrëdhënie, që nga vetë natyra e saj, është shumë e vështirë, e jo më të ngatërrohet me marrëdhëniet e tjera, njeriu mbetet vetëm dhe pa model për të përvetësuar njerëzoren.

Njerëzorja mësohet dhe zhvillohet nëpërmjet marrëdhënies me tjetrin dhe natyrisht, fillohet me prindin si model dhe autoritet. Këto deklarata të prindërve, padashur, përjashtojnë marrëdhënien prind-fëmijë. Ata i tregojnë fëmijës, se marrëdhëniet më të mira dhe më të sigurta, gjenden jashtë familjes dhe shtëpisë. Shokët dhe shoqet njeriu i gjen vetë në mjedise jashtë familjes dhe vendos po vetë, sa dhe si do të jenë këto marrëdhënie, ndërsa prindër, njeriu ka vetëm dy, një nënë dhe një baba nga të cilët ai vjen dhe nuk i zgjedh vetë. Prindër kini kujdes me fjalët dhe shprehjet që përdorni.revistaPsikologjia