Linda Rama: Ishim si të mpirë, s’kam për ta harruar kurrë…

1976
0

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka dhënë një mesazh mjaft domethënës për gruan shqiptare, në fjalën e saj në Global Women Club Kosovo 2019. Ndër të tjera, Linda Rama shprehet se “Më duket se askush më shumë se vetë gruaja nuk mund të luftojë për lirinë në shtëpi dhe për çlirimin e shtëpisë së përbashkët nga gardhet që ngre koha e re, e nga hijet që sjell rrotull koha e shkuar”.

Duke kujtuar kohët e vështira plot vuajtje të grave kosovare, teksa dëgjoheshin masivisht fjalët “liri” dhe “shtëpi”, bashkëshortja e kryeministrit shqiptar thekson se ato dy fjalë janë vizioni më i bukur për Kosovën e re, dhe mbase përkufizimi më i sigurt për gruan shqiptare përtej kufijve gjeografikë.

“S’kam për ta harruar kurrë, ishim edhe ne si të hutuar, si të mpirë nga një tragjedi familjare, donim të ndihmonim sadopak dhe në komunikimet ku përpiqeshim të kuptonim, se për çfarë kishin ndonjë nevojë më specifike, çfarë u mungonte më shumë, nga fëmijët më të rritur dëgjonim më së shumti fjalën “liri”, ndërsa gratë fjalën “shtëpi”!

Sot, 20 vite nga ajo kohë nuk do të guxoja kurrsesi të thosha, këtu përpara jush se çfarë shkon a çfarë nuk shkon sot në Kosovë. As nuk do të doja kurrë të jepja mend, siç i themi ne, mbi çfarë duhet e çfarë s’duhet të bëjnë gratë dhe burrat e Kosovës. Por ato dy fjalë, “liri” dhe “shtëpi”, më janë dukur gjithnjë e më shumë, vizioni më i bukur për Kosovën e re dhe mbase, përkufizimi më i sigurtë për gruan shqiptare përtej kufijve gjeografikë”, shton ajo.