Lëvizjet e bebeve që pikasen më herët me ndihmën e inteligjencës artificiale, mund të paralajmërojë për autizmin

363
0

Disa lloje diagnozash për autizmin, mund të pikasen më herët duke studiuar se si lëvizin bebet, thonë shkencëtarët në Universitetin e Sussexit në Britani. Ata po eksperimentojnë me teknologjinë që gjurmon lëvizjen dhe me inteligjencën artificiale për të analizuar lëvizjet e bebeve. Shkencëtarët po përpiqen të imitojnë lëvizjet e shpejta të një bebeje. Eksperimenti i tyre synon të demonstrojë se sa komplekse janë lëvizjet e bebeve.

Kamera gjurmon dhe regjistron përpjekjet e tyre, ndërsa përpiqen të imitojnë lëvizjet e shpejta të duarve dhe këmbëve që u tregohen në një ekran. Kjo teknologji përdor pamje kompjuterike dhe inteligjencën artificiale për të krahasuar lëvizjet e bebeve, me aftësitë e tyre sociale dhe në komunikim gjatë 18 viteve të para të jetës së tyre. Studimi synon të analizojë lëvizjet e bebeve nëpërmjet pamjeve filmike dhe sensorëve të lëvizjes.

“Objektivi i eksperimentit është të kuptojmë se si lëvizin bebet, të studiojmë lëvizjet e tyre kur janë shumë të vegjël dhe të shohim nëse kjo mund të sinjalizojë për autizëm në të ardhmen. Teknologjia kompjuterike mëson nga pamjet dhe filmimet, përcakton pozicionet e gjymtyrëve në kohë të ndryshme dhe shqyrton mënyrën se si lëvizin”-shpjegon Ivor Simpson, profesor në Universitetin e Sussexit.

Shkencëtarët ende nuk e dinë se cilat prej lëvizjeve të bebeve mund të shërbejnë si paralajmërim për një diagnozë të hershme. Ata synojnë me analizën e tyre të hedhin dritë mbi mesazhin që mund të merret nga lëvizjet e shumëllojshme të bebeve. Kjo përfshin lëvizjet e gjymtyrëve, si dhe dallimet mes tyre në distanca, shpejtësi dhe drejtim. Ekspertët thonë se lëvizjet në faza kaq të hershme nuk janë të vullnetshme, por një refleks. Duke bërë lëvizje të ndryshme, bebet testojnë dhe forcojnë muskujt, të cilët u mundësojnë të fillojnë të hulumtojnë botën sociale dhe fizike që i rrethon.

Shkencëtarët mendojnë se monitorimi i bebeve në një fazë kaq jetike të zhvillimit të tyre, mund të përcaktojë se si do të jetë në vazhdim jeta e tyre. “Teknologjia nëpërmjet të cilës mëson kompjuteri bazohet tek një vlerësimi i pozave që marrin njerëzve. Kemi shqyrtuar deri më tani modele të përgatitura nga të dhënat e të rriturve, të cilat sigurisht kanë veçori të ndryshme nga të bebeve. Duhet bashkëpunim mes studiuesve nga shkencat e ndryshme. Pra, unë jam shkencëtar kompjuterik, por bashkëpunoj me kolegët e psikologjisë, si Gilly Forrester, e cila drejton projektin”-thotë Simpson.

Shkencëtarët regjistrojnë bebet që mund të jenë kandidatë për të marrë pjesë në eksperiment, ku mund të kontribuojnë edhe prindërit e tyre nga shtëpia. Objektivi është të studiohen rreth 100 bebe, lëvizjet e të cilëve do të mblidhen çdo javë. Studiuesit mendojnë se kështu do të kenë të dhëna të mjaftueshme për t’i analizuar. “Një studim i tillë do të na mundësojë të përcaktojmë më herët së cilët fëmijë rrezikohen të kenë autizëm. Është ndoshta shpresa jonë më e mirë që të mendojmë për terapi të hershme nëpërmjet lëvizjeve, duke mos pritur që të ndërhyjmë pasi këta fëmijë të kenë paraqitur mangësi sociale dhe në komunikim”-tha profesorja e psikologjisë Gilly Forrester.

Pasi të jenë mbledhur të dhënat për lëvizjet e bebeve, shpresohet që të krijohet një botëkuptim më i mirë se cilat janë shenjat e hershme të çrregullimeve të tilla. “Përdorim teknologjinë kompjuterike dhe inteligjencën artificiale për të identifikuar modele që nuk i kapin sytë tanë. Duke gjykuar nga aspekte si varieteti dhe kompleksiteti i lëvizjeve të bebeve, mund t’i njoftojmë prindërit më herët për bebet që mendojmë se rrezikohen, në mënyrë që të marrin trajtim në vitet e hershëm të jetës së tyre”-thotë Forrester. Shkencëtarët shpresojnë që studimi do të ndihmojë edhe për t’i identifikuar këto terapi të hershme.