Prej 14 ditësh, ish-kryeministri socialist Fatos Nano ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore, pas një arresti kardiorespirator.
Sipas informacioneve te fundit, këtë të mërkurë bëhet me dije se ish-kryeministri nuk ka asnjë përmirësim.
Prej kohësh, lideri historik i PS vuan nga një problem kronik respirator, që njihet edhe si SPOK.
Fatos Nano, 73 vjeç është themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ishte njeriu që bëri të mundur transformimin e ish Partisë së punës që vinte nga trashëgimia komuniste, në një forcë që i rezistoi pluralizmit politik, si një aktore me peshë në skenën shqiptare.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, kohë kur u shkëput nga politika. Një përpjekje e tij e mëvonshme për postin e kreut të shtetit, nuk u mbështet nga Partia socialiste, drejtimin e së cilës e kishte marrë Edi Rama. Gjatë viteve të angazhimit në politikë, që nga viti 1991, ai shërbeu 4 herë si kryeministër i vendit.