“Lajm për t’u gëzuar për shqiptarët në Itali: Fondet për marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë marrin miratimin”

711
0

Shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar në Itali kanë nga kjo e enjte një motiv për t’u gëzuar.

Kjo pasi sipas deputetit socialist Etjen Xhafaj, më 3 tetor marrëveshja për pensionet e firmosur nga Tirana dhe Roma është miratuar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.

Kalimi në Senat dhe Dhomën e Deputetëve i marrëveshjes së firmosur disa muaj më parë nga palët tregon se mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë dhe 4 mijë italianë janë një hap më pranë përfitimit të pensionit, shkruan A2.

Deputeti socialist e njoftoi konkretizimin e këtij hapi në favor të marrëveshjes nga pala italiane përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Xhafaj sqaron se tani mbetet votimi në seancë plenare për të finalizuar marrëveshjen që prek mijëra emigrantë, raporton A2.

POSTIMI i Etjen Xhafaj:

“Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse. Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare për këtë marrëveshje, që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falënderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italiane që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj!”.

Marrëveshja në fjalë është miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrë-lindjet dhe sigurimin e papunësinë.

Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.

Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë rënë dakord për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje miratimit për fillimin e negociatave me Francën.