Skip to content

Lajm i mirë per shqiptarët në Itali, lehtesohen procedurat per pensionet

    Takim zyrtar ndërmjet INPS dhe ISSH për Marrëveshjen Teknike mbi shkëmbimimin elektronik të formularëve

    Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, hyrë në fuqi më 1 korrik 2025, u firmos sot nga krerët e dy delegacioneve të nivelit të lartë teknik shqiptar dhe italian, nga z. Astrit Hado – Drejtor i Përgjithshëm ISSH dhe znj. Valeria Vittimberga – Drejtoreshë e Përgjithshme e INPS, Marrëveshja Teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve zbatues.

    Për herë të parë, në marrëveshjen me Italinë, formularët do të shkëmbehen në rrugë elektronike, duke shkurtuar kohën e transmetimit të dokumentacionit për dhënien e përfitimeve.

    Kjo marrëveshje synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat administrative ndërmjet institucioneve kompetente të sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, duke mundësuar shkëmbimin e sigurt dhe efikas të kerkesave për përfitime në të dy vendet, në mënyrë elektronike.

    Firmosja e këtij dokumenti përbën një hap tjetër konkret në zbatimin e plotë të marrëveshjes dypalëshe, me qëllim garantimin e të drejtave të qytetarëve që kanë punuar dhe kontribuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali.