Lajm i keq për ju që keni Euro, kjo nuk ndodhte që nga dhjetori 2019

1390
0

Muaji gusht ka nisur me një rënie të euros në tregun e brendshëm, duke bërë që monedha e përbashkët të humbasë pikët që fitoi në fund të javës së kaluar.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 121.66 lekë, duke arritur një tjetër rekord minimal të këtij viti dhe më i ulëti që nga muaji dhjetor 2019, kur euro zbriti në 121.5 lekë.

Sipas aktorëve të tregut, rënia e euros është një kombinim i disa faktorëve:

-Prurjet e shtuara nga turizmi dhe hyrjet e emigrantëve. Ky është një efekt sezonal, teksa gjithnjë në gusht dhe në dhjetor, oferta e shtuar për valutë ndikon në rënien e valutave.

-Euro ka qenë e dobët në tregjet ndërkombëtare, me përjashtim të ditëve të fundit, duke ndikuar në nivelin e saj të dobët në tregun vendas.

-Aktorët e tregut pohojnë se një arsye që po ndikon vazhdimisht në dobësimin e monedhës së përbashkët është valuta e lartë informale që hyn në vend dhe qarkullon në treg.

-Ndërsa në vend po qarkullon shumë valutë, kërkesa për to është shumë e ulët, duke bërë që ajo të mos tërhiqet nga tregu.

Përgjithësisht gushti është një muaj kur efektet sezonale arrijnë kulmin dhe pritet që leku të jetë i fortë ndaj valutave, të paktën në gjysmën e parë të tij.

Euro është këmbyer mesatarisht me 122.8 lekë, për periudhën janar- 2 gusht, nga 123.7 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 123.5 lekë në janar-gusht 2019.