Kush kapet me bixhoz apo shkon ne lokal gjate punes, do te hiqet nga puna… Ja disa nga rregullat e fundit te qeverise

6389
0

Kryeministri Edi Rama ka miratuar “Kodin e Ri Etik” për kabinetin qeveritar.

Një paketë e re rregullash ka hyrë në fuqi para pak ditesh.

Ministrat, do të jenë ata që do të duhet t’i zbatojnë ato rigorozisht, pasi prej fillimit të këtij muaji atyre u ndalohet me ligj takimi me biznesmenë, apo pranimi i biletave të paguara nga persona dhe kompani private.

Një tjetër rregull i rëndësishëm është ai që u ndalon ministrave të frekuentojnë ambientet e lojërave të fatit, apo edhe të shkojnë në bare e restorante gjatë orarit zyrtar të punës.

Ministrave gjithashtu do t’u ndalohet të udhëtojnë me “Business Class”, në Europë, apo të përdorin sallën VIP të aeroportit dhe makinën e punës për familjarët, kur nuk janë vetë të pranishëm.

Edhe rregullat e qarkullimit rrugor, do të duhet të zbatohen prej anëtarëve të kabinetit “Rama” me përpikmëri të plotë.

Përndryshe një shkelje e kryer prej tyre do të rezultojë fatale sepse “Kodi i Ri Etik”, parashikon që anëtarët e kabinetit duhet të kërkojnë ndjesë publike ose në rastin më të keq do të shkarkohen menjëherë nga detyra.

Ndërkohë theksohet se kjo paketë rregullash do të prekë edhe punonjësit e administratës, të cilëve ju ndalohet që të bëjnë veprime jo etike dhe të ekzagjeruara në bare e restorante, të takohen me grupe interesi, apo të publikojë në rrjete sociale video dhe foto të papërshtatshme të ambientit të punës.

Të gjitha këto rregulla ishin paralajmëruar më herët nga Kryeministri, në nisje të mandatit të tretë qeverisës.