Kush është shqiptarja Arjeta Puca që Rama i kerkoi te prodhojë makinat shqiptare!

189
0

Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët njoftoi se qeveria ka gati projektin për të prodhuar automjetet që i nevojiten shtetit, të cilat do të shërbejnë edhe për transportin e mësuesve dhe nxënësve. Po ashtu, Rama bërë të ditur se ky projekt do të bëhet duke bashkëpunuar me kompaninë e një shqiptareje, Arjeta Puca e cila është përzgjedhur nga OKB për të prodhuar 500 autoambulanca që do të dhurohen.

Por kush është Arjeta Puca dhe historia e saj si sipërmarrëse?

Puca është rikthyer në Shqipëri si sipërmarrëse për të prodhuar makina në fabrikën e saj. Kompania e saj ndodhet në të dalë të Tiranës, dhe makinat që ajo prodhon shkojnë për urgjencën, për të plagosurit e luftës në Ukrainë, për urgjencën spitalore apo Urgjencën Kombëtare Shqiptare, për Forcat e Armatosura dhe ato zjarrfikëse. Arjeta ka 8 vite që merret me prodhimin e ambulancave, zjarrfikëseve, makinave të patrullimit dhe kamionëve të pastrimit. Familja e Arjetës ka një biznes të ngjashëm në Turqi ku jeton prej dekadash. Arjeta Puca është themeluese e Timak Shpk që prej vitit 2016, një kompani e cila konkurron me cilësinë e saj në Ballkan. Pas përvojave në Gjermani e Japoni, Arjeta ka tashmë punonjësit e saj. E lindur në Bulqizë, Arjeta Puca është larguar në moshën 4-vjeçare së bashku me familjen në Turqi, në vitin 1991.

E ftuar në podkast me kryeministrin Edi Ramën, më 13 maj të vitit të kaluar, Ruca ka treguar se është një vajzë punëtore që e do familjen.

“Jemi kthyer për pushime në ‘96-ën dhe ishte një ndjesi shumë e bukur dhe kur erdha në Shqipëri, thosha: kur do vijë ajo ditë që do kthehem në Shqipëri dhe do jetoj vazhdimisht aty”, ka treguar sipërmarrësja 37-vjeçare.

Lidhur me pasionin për makinat dhe se si i ka lindur ideja për t’i ndërtuar ato, Puca është shprehur:

“Babai im ka qenë usta hidrauliku kur ishim në Turqi dhe çdo fundjavë më merrte te puna dhe shikoja mjetet, pjesët hidraulike dhe kështu m’u fut pasioni i mjeteve. Pastaj edhe vetë babai hapi një dyqan me gjithë mamin. Nga mësues muzike, usta hidraulik dhe pastaj hapi dyqanin, më lanë të dy punën pas 15 vjetësh emigrim dhe pas universitetit, unë punoja aty. Kështu që vazhdimisht isha me makina dhe më pëlqente pjesa e makinave, tej mase shumë. Çdo vit ne thonim që do ktheheshim një ditë në Shqipëri dhe kështu për gati 25 vjet. Dhe pashë që mami e babi nuk merrnin dot vendimin. Unë thashë, u bë si rreth vicioz dhe fiks kur bëra 30 vjeç, bëra ditëlindjen dhe u ktheva në Shqipëri. Thashë unë do kthehem dhe njëherë mendova që mund t’i shes mjetet qe i kemi tek kompania turke, por pas dy vitesh më doli një projekt ambulancash dhe punuam me një kompani dhe ajo kompani e la në mes projektin po fatkeqësia u bë fat për mua dhe mësova si bëhet ambulanca se edhe vetë jam inxhiniere. Edhe fillova të bëja ambulancat se klientët vinin me kërkesa prapë me ambulanca. Pas ambulancës erdhën më kërkesa makina të tipit policie, berberhane, më projekte të çuditshme dhe me të gjitha thoja po, i studioja. Bashkëpunoj me specialistët, kështu që fillova të prodhoj. Është edhe punë iniciative”, ka treguar ajo.

Ndër të tjera, ajo ka rrëfyer se kërkon të kontribuojë në Shqipëri, për mes dy ideve: prodhimin e automjeteve dhe mbështetjen ndaj grave.

“Si kompani kam dy ide, dy filozofi. Njëra është të kontribuojmë për vendin, e dyta është mbështetja e gocave. Dhe këtë e mendova, mbështetja mund të bëhet më shumë, jo duke dhënë peshk, por duke mësuar sesi kapet peshku. Dhe kështu që, bashkëpunoj shumë me shkollat profesionale. Sidomos me shkollën “Gjergj Canco”. Dhe nga aty tek pjesa elektrike vazhdimisht punoj me gocat, këtë e kam parë në fakt dhe në shtete të tjera, në Amerikë apo në Japoni që te pjesa teknike i përdorin shumë fuqinë punëtore të vajzave. Janë dhe më detajiste, e bëjnë punën dhe më të pastër. Gjithashtu edhe bashkohet dhe me filozofinë time në punë. Kështu që bashkëpunojmë shumë me vajzat dhe duam ta bëjmë më shumë pjesën që të marrin pjesë tek saldimi, torno, t’i kemi të gjitha vajza aty”, u shpreh Puca.

Puca ka treguar edhe se si do ia dalë për t’i prodhuar këto automjete në vendin tonë, për nevojat e shteti, duke cituar: “ Duhet një studim fizibiliteti për këtë. Mund ta prodhojmë. Mund të prodhojmë komplet mjetet tona, nga fillimi deri në fund”.