Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë arrestuar shtetasin Julian Habibaj, 53 vjeç, me profesion mjek gjinekolog pranë Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj kryeinfermieres së këtij institucioni shëndetësor.
Sipas kallëzimit të bërë nga 60-vjeçarja, kryeinfermiere e maternitetit, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, për shkak të një kundërshtimi lidhur me protokollin mjekësor që duhej ndjekur për një paciente të shtruar. Pas një përplasje verbale, dyshohet se mjeku e ka kapur për fyti kryeinfermieren, duke e goditur atë gjatë ushtrimit të detyrës.
Policia ndërhyri menjëherë pas denoncimit, duke bërë arrestimin e mjekut. Burime bëjnë me dije se mjeku njihej si problematik në institucion, pasi ndaj tij ishin marrë më parë 11 masa disiplinore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.