Operacioni “Last Threat” në Durrës: Prostitucion, kërcënime me thikë dhe shantazh me video intime – arrestohen Robert Lamnica, Armand Hysa dhe Alma H.
Një rrjet shantazhi dhe prostitucioni është goditur në Durrës, ku një grua në bashkëpunim me dy burra mashtronte dhe kërcënonte klientët për të përfituar para. Policia finalizoi operacionin e koduar “Last Threat”, duke arrestuar tre persona dhe sekuestruar prova materiale. Skema përfshinte kërcënime me armë të ftohta dhe shantazh me foto e video intime.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe forcat operacionale të DVP Durrës, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last Threat”.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar:
Robert Lamnica, 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës
Armand Hysa, 21 vjeç, banues në Durrës
Alma H., 49 vjeçe, banuese në Spitallë, Durrës
Sipas hetimeve të deritanishme, Alma Hysa ushtronte prostitucion në banesën e saj, ku ofronte favore seksuale kundrejt pagesës. Pas përfundimit të aktit, ajo dhe bashkëpunëtori i saj, Robert Lamnica, kërcënonin klientët me mjet prerës (thikë) dhe u merrnin para. Në një rast konkret, ata kanë kërcënuar shtetasin F. Ç. dhe i kanë marrë shumën prej 65,000 lekësh të rinj.
Po ashtu, është zbuluar se Lamnica bënte edhe fotografi dhe video të klientëve gjatë momenteve intime, të cilat i përdorte për t’i shantazhuar dhe për të kërkuar para në këmbim të mospublikimit të materialeve.
Operacioni kishte nisur prej një jave dhe kulmoi me arrestimin fillimisht të Alma Hysës, më pas të Robert Lamnicës. Gjatë kapjes së Lamnicës, ai ishte i shoqëruar nga Armand Hysa (21 vjeç), të cilit, gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.
Gjatë kontrolleve në banesën e Alma Hysës, u sekuestrua edhe mjeti prerës që shërbente për kërcënimet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin e viktimave të tjera të mundshme të këtij rrjeti shantazhi dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme.
Të arrestuarit po hetohen për veprat penale:
“Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim
“Prostitucioni”
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.