Skip to content

Kur rrjetet sociale bëjnë mrekulli

    Pikërisht në momentin kur u ndie më vetëm se kurrë në fatkeqësinë e saj, Sadetja gjeti ndihmë në një formë ndryshe: në TikTok. Gjatë kohës që ndodhej në spital pranë të shoqit, i cili ishte në gjendje kome, kurse ajo e vetme dhe pa asnjë ndihmë nga familjarët, dikush i tha t’i shkruante Matildës në TikTok.

    Sadetja vendosi të përpiqej me mish e shpirt për të siguruar ndihmën që i nevojitej për të shoqin dhe nuk hezitoi. Në anën tjetër të ekranit gjeti një zemër të hapur, një dorë të zgjatur që bëri çmos për t’iu gjendur pranë. Kur Matilda vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe sheh Sadeten në murin përballë, jep një shembull të rrallë për mirësinë dhe solidaritetin.

    Matilda: Njeriu e ka bamirësinë në zemër gjithmonë, o je, o s’je. Ngaqë na u dha mundësia me TikTok, me rrjetet sociale të kemi shumë ndjekës dhe i përshëndes të gjithë, e ngre zërin për këta njerëz që kanë nevojë. Nuk është vetëm Sadetja, mund të ishte kushdo, por në këtë rast është Sadetja dhe u japim një shans edhe shqiptarëve kudo që janë që të kontribuojnë te këta njerëz që kanë nevojë. Unë e kam mundësinë, ngre zërin dhe kjo më bën jo vetëm krenare, më kënaq zemrën, më bën shumë të lumtur.

    Sadetja e ka ftuar Matildën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për një falënderim nga zemra.

    Sadete: Ti e di se unë të thërras motra ime sepse në ato momente të vështira të miat, ishe ti e para që hape derën dhe që kërkova ndihmë, ti e di tani, shumë njerëzve të tjerë, por ishe e para dhe unë të falënderoj me shpirt që më ke ndenjur afër dhe po më rri akoma afër. Me të vërtetë, je pjesë e familjes sime dhe të falënderoj me shpirt për çdo gjë që ke bërë për familjen time.

    Matilda: E kam bërë çdo gjë me shpirt!

    Në fillim të rubrikës, në ekran u shfaqën dy foto të Agronit. Njëra përfaqësonte momentin para se të pësonte trombozën e hemorragjinë, kurse tjetra periudhën kur gjendej në spital, me tuba. Në atë gjendje shfaqej edhe në videot ‘live’ që Sadetja transmetonte në TikTok për të mbledhur ndihma.

    Tani shfaqet një foto tjetër: Agroni është sërish pranë familjes së tij. Ai ndjek trajtim të vazhdueshëm, e gjitha falë një njeriu tjetër që ka ofruar ndihmë të jashtëzakonshme, i cili në TikTok njihet si “Semi Dubai”.

    Sadete: Goni jeton jetën e dytë, falë Semit. Ai ka bërë mrekulli dhe nuk është vetëm rasti im që po ndihmon dhe unë dua ta falënderoj publikisht! Semi akoma po kontribuon përsëri për Agronin, paguan çdo ditë e çdo muaj fizioterapitë e Agronit dhe çdo gjë që Goni ka nevojë dhe dua ta falënderoj me shpirt se falë atij jemi ne sot, kjo familje e plotë!