Fundi i pandemisë së koronavirusit do të vijë vetëm nga vaksina. Profesor doktor Andrej Trampuz ka deklaruar se jeta nuk do të jetë si më parë për aq kohë sa nuk do të ketë një vaksinë.
Drejtori i laboratorit për hulumtimin e sëmundjeve infektive në “Charité – Universitätsmedizin” në Berlin, një nga spitalet universitare më të mëdha në Evropë paralajmëron se pandemia do të shpërthejë sërish nëse nuk ka një kurë pasi deri tani është e infektuar më pak se 1 për qind e popullsisë të botës, që do të thotë se nuk ekziston imuniteti kolektiv.
Në një intervistë për REL, profesori Trampuz thotë se: “Do të ketë mundësi që të shkohet në punë ose të ketë tubime në grupe të vogla, por ngjarje të mëdha gjatë këtij viti nuk do të ketë. Edhe këto tubimet e vogla, me siguri që do të jenë me maska ose duke e ruajtur distancën. Deri në fund të këtij viti do të na duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe kjo nuk do të jetë një jetë normale”.
Kështu që shpresat për t’iu kthyer jetës normale mbeten për vitin 2021. Sa i përket teorive se si u krijua një virus i tillë, mjeku gjerman thekson se vetëm natyra është aq inteligjente që ta krijojë, jo njeriu.
Kjo pandemi i ka dhënë një mësim të mirë botës që të përgatitet më mirë për pandeminë e ardhshme që sipas tij, “me shumë siguri do të vijë”