Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi zgjedhjet lokale, deputetja e PS Luljeta Bozo tha se mbështet kandidaturën e Erion Veliajt, pasi sipas saj ai e ka transformuar kryeqytetin.
Lidhur me kullat shumëkatëshe që po ngrihen në qendër të Tiranës, Bozo thotë se bëhet fjalë për zbatimin e projektit francez të kohës së Fatos Nanos.
Ma merr mendja që me punën që ka bërë Erioni me dy mandatet që ka pasur, që është transformuar Tirana për mirë, duke bërë që kryeqyteti të njihet në gjithë botën…Ka aftësi organizimi dhe komunikimi, që kjo ka rëndësi. Fakti që me shumë sukses u përballuan probleme që kishin të bënin me dëmet e tërmetit të shtatorit dhe nëntorit, me dëmtime të mëdha në infrastrukturën shkollore…
Fakti që janë hapur shumë fronte pune në Tiranë, prona ka marrë një vlerë të jashtëzakonshme. Janë shumë arritje, që unë besoj që Erioni ka mbështetjen e elektoratit, dhe të gjithë popullin. Unë e mbështes. Janë në fazën e komunikimit me të gjithë masën, për të marrë vërejtjet dhe sugjerimet për këta që kanë qenë në drejtim.
Kandidaturat akoma nuk janë shpallur. Në këtë proces janë. Deputetët janë duke punuar për t’i sqaruar njerëzit, ku do shkojmë në 4-vjeçarin e ardhshëm. Një llogaridhënie dhe marrje mendimi nga qytetarët për ta bërë punën sa më mirë. Hë për hë jemi në rrugë të mbarë”.
Duke folur mbi ndërtimet në Tiranë, Bozo tha:
Tirana s’mund të mbetet ajo që ka qenë, sepse është bërë metropol. Lejet që janë dhënë për këto ndërtimet, që po bëhet zhurmë e madhe, diku kanë të drejtë, por jo në të gjitha. Ndërtimet e mëdha të Tiranës lidhen me projektin francez të kohës së Nanos. Nëse ka pasur shkelje ekziston ligji. Nëse ke bërë ndërtim pa leje, ose ta heq ose ta sekuestron. Nuk besoj se është aq alarmante kjo punë. Në qendër mund të jenë një dhe dy që mund të kenë tejkaluar numrin e kateve të lejuara. Nëse hallkat funksionojnë nuk do kishte nevojë për gjykata. Dikush e bën punën për bukuri, diku shkelen këto rregulla. Kërkesa e llogarisë është një hallkë e dobët që duhet ta përmirësojmë patjetër”.
Lidhur me protestën e pedagogëve, Bozo tha se kjo kategori nuk mund të kërkojnë rritje page me 50 për qind, kur nuk është shtresa me gjendjen më të keqe në popullsi. Po ashtu ajo tha se duhen më shumë fonde për kërkimin shkencor, si dhe botimet shkencore.
Kam 58 vjet që punoj në universitet. Një pedagog nuk është thjesht mësimdhënës, por edhe shkencëtar. Nuk është mësues. Ai duhet të jetë aq i zoti në fushën e tij që këtë që ka marrë t’ia transmetojë brezit që po përgatit. Pjesa e kërkimit shkencor çalon për shumë arsye. Që të kërkojnë pedagogët rritje page është normale, sepse janë rritur çmimet në stratosferë. Por nuk mund të kërkosh një rritje page me 50 për qind kur ti si pedagog nuk je në gjendjen më të keqe nga shtresat e tjera të popullsisë. Unë do mendoja që këta të kërkonin këtë rritje page të arsyeshme brenda kuadrit të popullit dhe brenda mundësive. Duhet parë si është gjithë masa e popullit. Ti je elitë, se përgatit kuadro, por s’mund të bësh një kapërcim të tillë. Ministria e Arsimit duhet të kërkojë më shumë fonde për kërkimin shkencor. Për projektet që sjellin inovacion, që krijojnë vende pune, Europa jep shumë fonde. Nëse nuk di pedagogu të kërkojë fonde, kush do dijë, femëri?! Pedagogët marrin pjesën më të madhe, pjesa tjetër shkon për infrastrukturën dhe 10 për qind i shkon shtetit. Doktoraturat janë hapur te publiku. Këtu duhet patjetër të japin një fond shtesë shteti, se me rrogat që kanë pedagogët nuk kanë që të paguajnë botimet shkencore”.