Kuksiani kalon kufirin me 57 mijë euro të pa deklaruara. Tentoi t’i fshihte mirë, por ja si u zbulua..

755
0

Një 29-vjeçar nga Kuksi u shoqërua në polici, pasi tentoi të kalojë në Pikën e Kalimit Kufitar në Vlorë 57 mijë euro, pa i deklaruar ato.

Burime zyrtare bëjnë me dije se 29-vjeçari, kishte fshehur paratë në dy pako të mbështjella brenda makinës me targa gjermane, por ato u pikasën gjatë kontrollit të bërë nga Policia Kufitare e Vlorës.

Ndaj tij ka nisur një hetim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

“Policia Kufitare e Vlorës parandalon një rast të tentativës për transfertë të parave në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen 57000 euro dhe procedohet penalisht poseduesi i tyre, pasi nuk i deklaroi në kufi.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganës Vlorë dhe DVP Vlorë, pas kontrollit në vijën e dytë të një automjeti me targë gjermane kanë konstatuar të fshehura në brendësi të mjetit dy pako të mbështjella, brenda të cilave kishte një sasi eurosh të padeklaruara në kufi. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se në automjet ishin fshehur rreth 57000 euro.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. P., 29 vjeç, banues në Kukës është shoqëruar drejt Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe në përfundim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, njofton policia.