Skip to content

Kthjellime, Rritje Temperaturash dhe Momente me Shi – Ja si do të jetë Moti deri të Martën!

    Kryesisht mot i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit shqiptar, ndërsa në pjesën e dytë të ditës do të ketë shtim të vranësirave. Priten vetëm momente të shkurtra me pika shiu, kryesisht në kufirin juglindor të vendit.

    Era do të fryjë me drejtim verior dhe verilindor, me intensitet deri mesatar gjatë gjithë ditës së nesërme. Temperaturat shënojnë një rritje të lehtë në mesditë, ku maksimumi arrin sërish në 35°C.

    Natën dhe në orët e para të mëngjesit, dielli do të mbizotërojë në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa vranësirat do të shfaqen kryesisht në verilindje dhe juglindje të vendit. Pjesa tjetër e territorit mbetet me diell.

    Temperaturat minimale në mëngjes do të qëndrojnë të pandryshuara, duke zbritur deri në 8°C në zonat e thella verilindore, ndërsa në zonat perëndimore luhaten nga 12°C në brendësi deri në 14°C përgjatë vijës bregdetare.

    Në mesditë kemi rritje të përkohshme të temperaturave, ku maksimumet në zonat malore do të variojnë nga 26-29°C, ndërsa në perëndim luhatjet janë nga 31°C në bregdet deri në 34-35°C në jugperëndim të vendit.

    Për pesë ditët në vijim, moti pritet të ruajë të njëjtën tablo: kthjellime në bregdet dhe kthjellime me vranësira kalimtare në pjesën tjetër të vendit, me reshje të pakta dhe të izoluara, kryesisht në lindje.

    Temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë dhe graduale prej rreth 1°C çdo ditë, duke çuar maksimumet në fundjavë deri në 33°C. Nga e hëna, parashikohet një tjetër rënie, duke zbritur mesditën në 30-31°C.


    Ballkani – 24 orët në vijim

    Një masë ajrore më e freskët nga verilindja ka përfshirë rajonin që prej mbrëmjes së kaluar dhe do të vijojë edhe në ditët në vijim. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët në veri dhe përgjatë brigjeve perëndimore. Në brendësi të rajonit, sidomos në juglindje, do të shfaqen vranësira dhe reshje të pakta të izoluara në zonat malore të Rumanisë, Bullgarisë dhe në veri të Greqisë.

    Temperaturat minimale në mëngjes do të luhaten nga 10-13°C në veri, ndërsa në jug nga 15-19°C. Mesditën, vlerat do të bien lehtë në veri, ku termometri nuk do të kalojë 27-28°C, ndërsa në brigjet perëndimore do të qëndrojë mbi 30°C. Athina pritet të shënojë deri në 34-35°C.


    Europa – 24 orët në vijim

    Gadishulli Iberik dhe një pjesë e mirë e Europës Perëndimore do të përfshihen nga një tjetër valë e nxehti nga Afrika. Do të ketë mot të nxehtë dhe me kthjellime në gjysmën perëndimore të kontinentit, përfshirë edhe Ishullin Britanik, Spanjën dhe Portugalinë ku temperaturat do të arrijnë 30-35°C.

    Vranësira dhe rrebeshe të shkurtra priten herë pas here në veri të Britanisë dhe pjesërisht në jug të Portugalisë, ndërsa kthjellimet dominojnë Mesdheun, Europën Lindore dhe gadishullin e Ballkanit.

    Temperaturat do të bien lehtë në mëngjes dhe mesditë në lindje të kontinentit dhe në Ballkan, ndërsa në perëndim do të vijojë ngrohja graduale. Në veri të Europës do të jetë më freskët në mëngjes, ndërsa në jug termometri do të qëndrojë në vlerat 25-26°C në mesditë.